Sport16 Maj 2022, 17:29

Paraqitje dinjitoze e legjionarëve kuqezi, ja si vlerësohen lojtarët shqiptarë në ndeshjet që u zhvilluan në fundjavë

Shkruar nga Pamfleti
Paraqitje dinjitoze e legjionarëve kuqezi, ja si vlerësohen

Paraqitje dinjitoze e legjionarëve kuqezi, ja si vlerësohen lojtarët shqiptarë në ndeshjet që u zhvilluan në fundjavë

Futbollistët e Kombëtares shqiptare kanë dhuruar të tjera paraqitje pozitive këtë fundjavë në Europë, teksa nuk kanë munguar as golat e realizuar nga legjionarët kuqezi. 

Sulmuesi kuqezi, Xhakomo Vrioni vijon të tregojë formën e tij të mirë në kampionatin austriak me Tirolin, teksa ditën e shtunë ishte protagonisti kryesor i ndeshjes, duke realizuar një gol dhe dhuroi dy asiste në fitoren 4-2 të Tirolit ndaj Hartbergut. Uebsajti i specializuar për statistika, “SofaScore” e vlerëson me notën 8.9 djaloshin shqiptar, që këtë sezon ka shkëlqyer me gola në radhët e Tirolit. 

Nuk mungoi as goli i raketës kuqezi këtë fundjavë. Bëhet fjalë për Odise Roshin, i cili realizoi golin e tij të parë me Bolusporin në Turqi, duke qenë një nga protagonistët e fitores për skuadrën turke këtë fundjavë. 

Edhe mesfushori tjetër i Kombëtares, Ylber Ramadani arriti të gjejë rrugën e rrjetës për MTK Budapest, duke e mbyllur me gol sezonin në Hungari. Edhe Albi Doka e Herdi Prenga kanë luajtur minutat e tyre në kampionatin hungarez, duke dhuruar paraqitje dinjitoze në ndeshjet e fundit të këtij edicioni. 

Kjo ka qenë një fundjavë mjaft pozitive edhe për Qazim Laçin, i cili festoi së bashku me skuadrën e tij, Azhakso, suksesin për ngjitjen në kampionatin elitë francez, Ligue 1, në edicionin e ardhshëm. Laçi luajti për 90 minuta në fitoren e së shtunës ndaj Tuluzës. 

Etrit Berisha ka qenë pa dyshim një nga protagonistët kryesorë për Torinon këtë fundjavë, teksa gardiani kuqezi ruajti të paprekur portën torineze për 90 minuta. Kristjan Asllani, pas golit të realizuar javën e kaluar ndaj Interit, dhuroi një asist në ndeshjen ndaj Salernitanës, që u shfrytëzua më së miri nga Kutrone. 

Nedim Bajrami, Rei Manaj, Marash Kumbulla, Berat Gjimshiti, Sokol Cikalleshi e Endri Çekiçi janë aktivizuar gjithashtu me skuadrat e tyre këtë fundjavë. 

Sport Etrit Berisha futbollistët e kombëtares shqiptare Qazim Laci Xhakomo Vrioni