
Banesa e Alda Klosit duket se ishte kthyer në një thesar parash. Ndonëse ishte thjesht një zyrtare administrate, paratë aty shkonin me çanta. Të paktën kështu ka deklaruar pastruesja Rozeta Dobi, e cila u arrestua se i vodhi 120 mijë euro dhe bizhuteri me vlerë.
Por mbrëmë, Rozeta Dobi ka vendosur të rrëfehet, duke thënë se nuk ka pasur vjedhje, por inskenim. Në disa detaje të tjera që janë zbardhur nga dëshmia e saj, ajo tregon skena se si vinin paratë në banesën e Klosit.
“Në vitin 2018 kam nisur punë si pastruese në shtëpinë e Alda Klosit kur ajo punonte si drejtoreshë koncensionesh në Ministrinë e Financave, banonte tek Mozaiku i Tiranës.
Fillimisht në një moment kur vajta në shtëpinë e saj gjeta mbi krevat të mbuluara me batanije para në lekë dhe në euro. I mora dhe i sistemova në një sirtar në dhomën e saj dhe më pas e telefonova për ti konfirmuar Aldës ku i kisha vendosur paratë.
Kam lëvizur dhe në shtëpitë e tjera të saj dhe kam parë që gjatë gjithë kohës lëviznin shuma të mëdha parash. Alda Klosi ka dhe disa banesa të tjera, një të ndërtuar në truallin e prindërve të saj, një që e kishte prenotuar te Kodra e Diellit dhe një në Kombinat. Tek këto banesa nuk kam shkuar por i di se kam punuar gjatë.
Në dhjetor 2022 Alda Klosi më kërkoi që t’i merrja paratë dhe t’i ruaja për shkak të problemeve që kishte me bashkëshortin”, ka thënë ajo.