
Në këtë sistem është e papranueshme që ministrja e Kulturës, që duhet të kryesojë bordin fsheh planin e biznesit. Dhe ç’është ky plan biznesi? Ajo është një trashëgimi kulturore, nuk është objekt biznesi. Nuk po japim miniera, nuk po japim porte ku ka me të vërtetë biznes dhe ku ka konkurrencë.
Plani i menaxhimit të parkut kombëtar të Butrintit është shoqëruar me debate dhe kundërshtime. Marrëveshja 10-vjeçare mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit ka sjellë reagime të shumta. Prof. dr. Neritan Ceka arkeolog, thotë se nëse mbahen fshehur nga ministria elementë që ka plani i biznesit kjo e kompromenton të gjithë projektin. Në intervistën për gazetën “SOT” akademiku Neritan Ceka thotë se nuk është çështje e kësaj qeverie, por reforma e pritur nuk ka ndodhur me qeveritë e tjera, aq më keq kur protagoniste del vetë ministrja. Sipas profesor Neritan Cekës në këtë sistem është e papranueshme që ministrja e Kulturës, që duhet të kryesojë bordin fsheh planin e biznesit. Dritëhijet që do të përshkojnë menaxhimin e Butrintit, arkeologu Ceka i sheh që në detajet e planit të menaxhimit. Sipas tij, kjo është një trashëgimi e jona dhe duhet të vihet në vend identiteti sitit, që është kompromentuar që në fillim, sepse konsiderohet qytet greko-romak. Për atë që po ndodh me Butrintin, arkeologu i njohur thekson se është trashëgimi kulturore, nuk është objekt biznesi.
-Marrëveshja ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe një fondacioni të posaçëm i ngritur për parkun kombëtar të Butrintit ka shkaktuar shumë reagime. Është diskutuar në lidhje me elementë konfidencialë, që ka në planin e biznesit. Ju si specialist i fushës së trashëgimisë kulturore që dhe më parë jeni shprehur për problemet me parkun e Butrintit, si ju duket që elementë të tillë të mbahen të fshehur, çfarë risku mund të dalë në vijim?
Kjo kompromenton të gjithë projektin, që unë e konsideroj një projekt pozitiv. Një hap drejt një reforme thelbësore në menaxhimin e trashëgimisë kulturore, e cila është në gjendje katastrofike, kënete, është e politizuar, e privatizuar nga partia politike që është në pushtet dhe që ka bërë që Butrinti të qëndrojë në këtë formë prej dekadash. Nuk është çështje e kësaj qeverie, por reforma e pritur nuk ka ndodhur me qeveritë e tjera, aq më keq kur protagoniste del vetë ministrja. Në këtë sistem është e papranueshme që ministrja e Kulturës, që duhet të kryesojë bordin fsheh planin e biznesit. Dhe ç’është ky plan biznesi? Ajo është një trashëgimi kulturore, nuk është objekt biznesi. Nuk po japim miniera, nuk po japim porte ku ka me të vërtetë biznes dhe ku ka konkurrencë. Kjo është një trashëgimi kulturore, që në radhë të parë duhet të vërë identitetin e sitit, i cili është kompromentuar që në fillim, se konsiderohet një qytet greko-romak dhe nuk është grek. Ai është një qytet prasaik nga mbishkrimet e një komuniteti lokal të shekujve III -II para erës sonë, që ishte pjesë e Kaonisë që nuk është greke dhe Epirit që nuk ishte grek. Pra që këtu këta që kanë bërë projektin nuk janë të qartë që këtu kemi një kulturë të vendit tonë. Unë do të thoja, që parlamenti ta mbajë këtë ligj, ta modifikojë në konsultë jo vetëm me burokratët e paaftë të Ministrisë së Kulturës, por faktorin tjetër të Butrintit që është përjashtuar nga ky projekt dhe ky është Institutit i Arkeologjisë. Ne kemi ekspedita çdo vit shqiptaro-italiane, kemi arkeologë që kanë punuar për të formuar Butrintin, kemi njerëz që kanë punuar për të formuar këtë park duke filluar nga Auron Tare dhe të tjerë, që për fat të mirë janë edhe pjesë e Partisë së Socialiste dhe të arrihet një konsensus. Nuk mund të jetë me dhunë dhënia e një koncesioni të tillë. Nuk është koncesion, ky është një partnership ku duhet inkluduar në mënyrë të domosdoshme faktori intelektual, që e ka Instituti i Arkeologjisë. Këta janë ca ustallarë.
-Profesor sa besoni te ky fondacion, pra qëllimi i tij?
Unë besoj që është një nga fondacionet, që e ka provuar veten. Këtu nuk kam dyshime, sepse këta kanë bërë muzeun e ikonave në Korçë pa përfituar gjë, e kanë bërë në mënyrën më të përsosur. Kanë bërë muzeun “Marubi” në Shkodër, kanë bërë Pazarin e Ri pa pasur ndonjë dyqan apo përfituar në këtë histori. Pra unë nuk dua të vë dyshime mbi fondacionin. Ajo që unë kërkoj është që të konceptohet si pjesë e pasurisë kombëtare kulturore.
-Nuk mund ta kishte bërë shteti vetë diçka të tillë…
100 për qind po. Që nesër po të ma japin mua dhe kolegëve të mi ju bëj një fondacion jo për Butrintin, por për të gjithë parqet e Shqipërisë, që të dalin me fitim, që të mos ketë biznesin prioritar por të ketë kulturën, identifikimin tonë kombëtar dhe të jetë për shqiptarët. Ky park siç është konceptuar është për milionerët. Se nuk mund të shkosh atje dhe të paguash një biletë 20 euro. Imagjinoni një familje me 4 persona të shkosh të paguash 80 euro. Pra ne duhet të bëjmë në dimensionet e Shqipërisë për interesant e shqiptarëve, siç kanë bërë Korçën, siç kanë bërë dhe muzeun “Marubi” ky hyn me bileta normale, dhe ç’është ky biznes?
– Ministrja aktuale e Kulturës do të jetë edhe kryetare e bordit me 5 anëtarë. Pse ju e kundërshtoni faktin, që ministrja të jetë në bord?
Ministrja nuk duhet të jetë në mënyrë absolute. Është një konflikt interesi, duke qenë se ministrja ka bërë ndryshimin e ligjit për tu futur kjo ose një ministre tjetër, pra zyra ka bërë ndryshimin e ligjit për të futur fondacionet në menaxhimin e pasurisë kulturore. Ka bërë ligjin, ka bërë planin e biznesit, është pjesë dhe tani futet në bord, që të marri paratë.
-Bordi i fondacionit të menaxhimit të Butrintit përbëhet nga 5 anëtarë, ku i pesti sipas ministres Margariti më parë për paanshmërinë e bordit vendimmarrës. Përzgjedhjen e një eksperti të jashtëm britanik, si e shikoni në këtë bord?
Absolutisht unë jam kundra emrave. Kjo është një dobësi tjetër që e kompromenton projektin kur cilëson emra. Ato duhet të jenë me karakteristika. Pra një arkeolog që ka punuar në Butrint, që njeh Butrintin, që ka plot kandidatura. Një arkeolog duhet të jetë patjetër shqiptar në mënyrë absolute, sepse nuk mund t’ia lëmë të huajve pasurinë kulturore, sepse na e kanë deformuar gjithmonë, këto janë fakte. Pra e gjithë historia duhet korrigjuar. Duhet ta mbyll duke thënë që si formë është e mirë, hap rrugën për një reformë sepse është një batak mënyra se si menaxhohet sot, dhe kjo formë e re mund të japi sinjalin që të menaxhohet në mënyrë autonome Bylisi që është në përgatitje, Apolonia që është në funksion. Të hapen parqe të rinj siç është Shkodra, dhe propozimi im është që ky fondacion pak nga pak nëse ka sukses të integrojë edhe parqet e tjera derisa të arrijë pastaj, që ti kthehet shtetit në një formë të tillë të plotë pas 10 vjetësh.
– Parku i Butrintit, një nga asetet historike dhe kulturore më të mëdha kombëtare. Por çfarë sjell nëse mund të ketë edhe ndërtime në Butrint?
Nuk duhet të ketë ndërtime. Pra duhet përjashtuar kjo, nëse një plan i tillë biznesi ka dhe hotele e restorante kjo e kompromenton gjithë dashamirësinë e fondacionit, dhe nuk e di kush e ka bërë këtë plan absurd. Por përshtypja ime është që është një përkthim i një njeriu, që nuk e do Shqipërinë.
-Në deklarimet e saj më parë ministrja e Kulturës ka shprehur ndër të tjera se një përqindje e të ardhurave të Butrintit do të shkojnë në Fondin e Trashëgimisë Kulturore. Çfarë do të thotë kjo për ju si specialist i fushës së trashëgimisë kulturore?
Janë qesharake, kjo pjesë duhet përcaktuar mirë se është 1 për qind. 1 për qind në 2 milionë që nxjerr janë 20 mijë euro, që nuk kanë asnjë vlerë. Pra është e turpshme, që të vihen shifra të tilla. Shifra të tilla duhet të përjashtohen dhe të vihen më të mëdha. Dhe fitimet e Butrintit duhet të përcaktohen. Pra fondacioni do të menaxhojë këto fonde për trashëgiminë kulturore jo për qëllime tjera, sepse ky është fondacion që vepron dhe në fushën e arsimit e në fusha të tjera.
-Me problemet që ju pohuat në fushën e trashëgimisë kulturore, a janë këto pasoja nga ligji “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” i miratuar në 2018 ?
Ai ligj hap rrugën për një menaxhim polivalent, i cili është i nevojshëm. Por mënyra se si zbatohet me këto makinacione mua më duket e papranueshme. /SOT