Sport23 Shkurt 2022, 19:24

Parlamenti Europian ultimatum të prerë UEFA-s: Anuloni urgjentisht finalen e Champions League dhe hiqni sponsorin!

Shkruar nga Pamfleti
Parlamenti Europian ultimatum të prerë UEFA-s: Anuloni urgjentisht

Parlamenti Europian ultimatum të prerë UEFA-s: Anuloni urgjentisht finalen e Champions League dhe hiqni sponsorin!

A ndërhyn apo jo politika në sport dhe a urdhëron këtë fundit të marrë vendime për interesa madhore? Më sa duket po dhe UEFA po e mëson këtë më së miri, pasi shumë shpejt do të duhet të zbatojë urdhrat që i vijnë nga politika.

Një grup eurodeputetësh në Parlamentin Europian i kanë kërkuar presidentit të UEFA-s Aleksandër Çeferin si dhe sekretarit Theodor Thodoridhis, që të anulojë finalen e Ligës së Kampioneve që është planifikuar në Shën Petersburg në këtë edicion, për ta shpërngulur në një qytet tjetër jashtë Rusisë si pasojë e situatës që po zhvillohet në Ukrainë.

Eurodeputetja gjermane e “Të Gjelbërve”, Viola von Kramon-Taubadel, ka qenë nismëtarja e kësaj shkrese që kërkonte marrjen e masave të menjëhershme.

“Duke parë situatën e rënduar pas njohjes nga ana e Putinit të Republikave separatiste të Donbas dhe pushtimin e trupave ruse në Ukrainë, është e qartë se qyteti i Shën Petersburgut nuk mund të presë finalen e Ligës së Kampioneve më 28 maj”, shkruhej në këtë letër që ngjan më shumë si një urdhër sesa një sugjerim. Kjo, pasi përveçse i kërkohet UEFA-s që të zgjedhë një qytet alternativ, i bëhet e qartë që të mos marrë në konsideratë qytete të tjera ruse.

Eurodeputetët gjithashtu kanë kërkuar që UEFA të ndërpresë edhe marrëveshjen e sponsorizimit të kompanisë “Gazprom”, e cila që nga viti 2012 është një nga sponsorët kryesorë të Ligës së Kampioneve. Tani mbetet të shihet si do të reagojë Çeferin, ndërsa nga organizata që ai drejton, komenti i vetëm ka qenë se “po monitoron nga afër situatë dhe çdo vendim do të merret kur dhe nëse do të jetë e nevojshme”, por duke shtuar se “për momentin nuk ka plane për ndryshim”.

Sport finalja e Champions League Parlamenti Europian UEFA