
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku pas daljes nga seanca e Kuvendit nga ku me votat e mazhorancës u votuan 3 dekretet për ndryshimet në kabinetin qeveritar.
Ajo kritikoi drejtuesen e Kuvendit, Lindita Nikolla për rrëzimin e kërkesës për debat lidhur ndryshimet nga ana e kryeministrit Rama, duke theksuar se kanë frikë nga akuzat mbi inceneratorët.
“Sot parlamenti mohoi kërkesën e PD, u ndryshuan dhe prioritetet e qeverisë. E papranueshme që opozita të mos ketë asnjë hapësirë parlamentare. Besoj se ndryshimi i zëvendës kryeministrit është i papranueshëm. A kishte ky vendim lidhje me çështjen e inceneratorëve? Kryetarja e parlamentit duhet të tregonte që ishte mbi palët dhe dështoi ta bënte këtë. E kuptoj luftën politike dhe përdorimet politike”, tha Tabaku.
Tabaku foli edhe lidhur me ligjin për hapjen e dosjeve, për të cilën ajo u shpreh se ishin pro këtij ligji që do të shkëpuste vendin nga periudha e tranzicionit.
Ajo akuzoi qeverinë se po përdor Autoritetin e Dosjeve për luftë politike, duke shtuar se kishin në plan të diskutonin këto çështje në seancën e sotme në kuvend, por nuk u lejuan pasi sipas sajë qeveria e ka kthyer Parlamentin si noter.
“Ne jemi për parimin e hapjes së dosjeve me anë të një ligji që do ta sjellim njëherë e mirë në ditët në vijim, që do të ndajë Shqipërinë nga periudha e tranzicionit. Partia Socialiste nuk ka moral që të përdore Autoritetin e Dosjeve për luftën e brendshme politike. Nuk patëm mundësinë të diskutojmë as për këtë, as për rezolutën ndaj Kosovës dhe as për integrimin. Ashtu siç dinë të bëjnë e përdorin Parlamentin si noter”, përfundoi ajo.