Politike26 Korrik 2022, 21:02

“Partia e Lirisë si Partia e Punës”, Kikia për rikthimin e Metës: Është në garë me Berishën, po shfrytëzon dobësitë e tij

Shkruar nga Pamfleti
“Partia e Lirisë si Partia e Punës”, Kikia për

Gazetari Mentor Kikia ka reaguar në lidhje me rikthimin e ish-presidentit Meta në politikë. Ai tha se nuk e sheh si risi në skenën politike rithemelimin e partisë nga Ilir Meta.

Kikia e quajti si mbushje te vakumit politik ndërrimin e emrit të një partie e cila sipas tij nuk ka përcaktuar akoma pozicionimin e saj. Për gazetarin, ndërrimi i emrit i ngjan me Partinë e Punës e cila e ndërroi emrin në “Partia Socialiste”.

“Ka pamundësi për të mbushur alternativa politike. Në këto kushte, vakumi mbushet me parti që ndërrojnë emrin. Një parti me një emër dhe të shkuar të gërryer nga një imazh aspak të mirë. Ndërron emrin dhe logon dhe nxirret në treg si një parti e re, te e cila duhet të varin shqiptarët xhaketën e shpresës. Një parti që është ende në përpjekje për të caktuar pozicionin e saj politik. Zoti Meta ka luajtur fort me shqiponjën, me Kushtetutën. Edhe Partia e Punës hyri në Pallatin e Kongreseve dhe doli që andej Parti Socialiste”, tha gazetari.

Më tej Kikia parashikoi një garë mes Berishës dhe Metës brenda opozitës, ku ky i fundit po mundohet të shfrytëzoje dobësitë ë Berishës edhe pse pretendohet të jenë në të njëjtin kamp.

“Nuk është çudi që edhe zotit Berisha t’i duhet të ndërrojë emrin partisë. Në zgjedhjet e pjesshme lokale u futën bashkë me LSI-në me Polin e Lirisë. Tani lirinë e zuri Meta. Edhe pse përballë kanë Ramën, mund të ketë edhe një garë mes Metës dhe Berishës kush do të jetë i pari i opozitës. Berisha po gjuhet me gurë dhe mund të lodhet shumë shpejt. Meta mund të nxitojë të marrë flamurin e opozitarizmit. E shikoj të mundshme që me kufomën politike të Sali Berishës të fitojë kapital politik edhe Ilir Meta”, përfundoi ai.

Politike #rikthimi i Metes Ilir Meta Mentor Kikia Partia e Lirisë Sali Berisha