Aktualitet30 Korrik 2022, 17:20

Pas Arben Ahmetajt, Olta Xhaçka bëhet viktima e radhës e Edi Ramës

Shkruar nga Pamfleti
Pas Arben Ahmetajt, Olta Xhaçka bëhet viktima e radhës e Edi

Rama shpalli se Ministria e Jashtme dhe Olta Xhaçka nuk do të kenë asnjë kompetencë në tryezën e negociatave me BE-në. Siç e tha vetë kreu i qeverisë, gjithçka do të jetë nën varësinë e Kryeministrisë, pra të atij vetë…

Edi Rama ka dhënë sot një sinjal të fortë, duke përgatitur viktimën e tij të radhës, që i shet sikur të jenë mall në tregun e Roskovecit.

Pas Arben Ahmetajt, që e shkarkoi nga qeveria si një sinjal se ai nuk e mbron më, e SPAK mund ta hetojë lehtësisht, sot është marrë me Olta Xhaçkën. Ministren me një konflikt të madh interesi, për të cilën opozita ka dërguar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për ta zhveshur nga mandati i deputetes.

Sot Edi Rama, në një dalje publike i ka hequr ministres së Jashtme të tij thelbin e një dikasteri për një vend që është në bisedime për tu bërë anëtar i Bashkimit Europian.

Rama shpalli se Ministria e Jashtme dhe Olta Xhaçka nuk do të kenë asnjë kompetencë në tryezën e negociatave me BE-në. Siç e tha vetë kreu i qeverisë, gjithçka do të jetë nën varësinë e Kryeministrisë, pra të atij vetë, kurse njeriu që do të ketë kontrollin mbi të gjitha është “Mis Misteri” apo shkurt Majlinda Dhuka, për të cilën vetë Rama tha se nuk e njeh, e nuk do ta njohë askush.

Por vijoi edhe më tej duke bërë të ditur se i gjithë dikasteri i Europës në ministrinë e Olta Xhaçkës kalon në varësi të Mis Dhukës dhe Ramës personalisht.

Vetë Olta ishte nxirë, e këtë nuk e fshehu, as në paraqitjen në krah të kryeministrit, ku për herë të parë nuk mbante një veshje formale, por një bluzë, që duket e kishte marrë me shpejtësi nga teli. Detaj, që tregon se thirrja për në mbledhje është bërë në momentin e fundit, e sipas të gjitha gjasave, ministrja ishte në pamundësi për të arritur në garderobën e saj ministeriale.

Por përveç këtyre detajeve teknike, thelbi është politik. Rama ka dashur të tregojë se do t’i japë duart ministres së tij, të cilës i ka hequr një pjesë të kompetencave, që ajo mund ta përdorte për reputacionin e saj. Nga sot, Olta Xhaçka nuk është më ministre e Europës, por vetëm e Jashtme, por duke pasur parasysh se Shqipëria nuk është SHBA por një vend që marrëdhëniet e saj i ka të përqendruara me SHBA e BE, mund të thuhet se Spiropali ka më shumë kompetenca. E për të cilën është folur prej muajsh që mund të marrë ose vendin e Peleshit ose të Oltës, kur t’i ikë mandate nga Kushtetuesja… /Pamfleti

Kryesore Ahmetaj Rama xhacka