Bota15 Shkurt 2022, 15:36

Pas Biden dhe Blinken i shkruan Vuçiç: Marrëveshja me Kosovën duhet të përqendrohet në njohje reciproke

Shkruar nga Pamfleti

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në një letër dërguar presidentit serb Aleksandar Vuçiç me rastin e ditës nacionale të Serbisë, ka kërkuar që ky shtet ta njohë pavarësinë e Kosovës. Në deklaratën e Blinken mes të tjerash, thuhet se SHBA-të inkurajojnë normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe njohjen reciproke.

“Ne jemi të përkushtuar të mbështesim synimin e Serbisë për integrimin evropian dhe inkurajojmë normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të përqendruara në njohje reciproke me Kosovën, e cila do të nxisë siguri dhe stabilitet më të madh në rajon”, ka thënë Blinken.

Blinken më tej ka shtuar se SHBA-të presin të ndërtojnë një të ardhme edhe më të ndritshme së bashku, si partnerë në Evropë dhe në skenën globale.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Ditë më parë edhe presidenti amerikan Joe Biden përmes një letre dërguar presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i kishte kërkuar këtij të fundit normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të bazohej edhe në njohjen reciproke.

“Aspiratat e Serbisë drejt BE-së varen edhe nga progresi i normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili, siç e dini, besoj se duhet të bazohet në njohjen reciproke. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’ju mbështesin në punën me mirëbesim për të arritur këtë qëllim”, kishte shkruar Biden në letrën e tij.

Rajoni #Blinken Biden Kosova Serbia SHBA Vucic