Bota 9 Shkurt 2023, 09:35

Pas Denaros, arrestohet edhe i shumëkërkuari i Ndranghetas; 32-vjeçari kapet në Bali pas 7 vitesh arrati

Shkruar nga Pamfleti
Pas Denaros, arrestohet edhe i shumëkërkuari i Ndranghetas;

Pas bosit të Cosa Nostras, Matteo Mesina Denaro, në pranga është  vënë edhe i shumëkërkuari i Ndrangheta-s  Antonio Strangio.

32-vjeçari ishte në kërkim nga autoritetet italiane që në vitin 2016.

Mediat e huaja shkruajnë se australiani i natyralizuar me origjinë nga Kalabria e Italisë është kapur në Aeroportin Ndërkombëtar “Ngurah Rai” të Balit.

Strangio ishte në kërkim policor për shitjen e 160 kilogramëve marihuanë por pavarësisht se u shpall në kërkim nga Interpoli ai nuk u lokalizua dot për vite të tëra. Ai tashmë do të ekstradohet në Romë dhe mund të dënohet me më shumë se 30 vjet burg nëse shpallet fajtor.

Mësohet se policia në rajonin jugor të Italisë  kishte qenë në kërkim të Strangio për shtatë vjet, si pjesë e projektit anti-mafia, dhe kishte dijeni për vendndodhjen e tij prej disa kohësh.

Strangio, anëtar i bandës kriminale “Ndrangheta” ishte paralajmëruar se po vëzhgohej nga policia por shtetësia e tij australiane e ndihmoi për shumë kohë që të mos binte në pranga.

Arrestimi i tij vjen pas kapjes së Edgardo Greco, i njohur si “kuzhinieri i Ndrangheta-s” i cili kërkohej për dy vrasje në Francë. Kryeministrja italiane Georgia Meloni tha se arrestimi i Strangio ishte arrestimi i tretë në pak ditë i anëtarëve të Ndrangheta-s, pas Greco i cili kishte qenë i fshehur për 17 vjet dhe Matteo Messina Denaros. Ajo uroi policinë, forcat e rendit dhe inteligjencës për rezultatet e jashtëzakonshme.

Sipas policisë indoneziane, Strangio po udhëtonte me një pasaportë australiane në momentin kur u kap. Ai po udhëtonte nga Kuala Lumpur për në Bali. Një zëdhënës i policisë së Balit, tha se Strangio ishte marrë në pyetje plot 20 ditë nga policia e Balit, pasi u kap më 2 Shkurt./

Bota #Antonio Strangio Arrestim Ndrangheta