Aktualitet 7 Dhjetor 2022, 17:47

Pas largimit nga KLP, Gent Ibrahimi katapultohet në Kushtetuese; Bajram Begaj e dekreton si gjyqtar

Shkruar nga Pamfleti
Pas largimit nga KLP, Gent Ibrahimi katapultohet në Kushtetuese; Bajram

Gent Ibrahimi është zgjedhur gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Ish-kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë është dekretuar nga Bajram Begaj si gjyqtar, duke zënë në këtë mënyrë vendin e Përparim Kalos, të cilit i ka mbaruar mandati.

Pak ditë më parë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i dërgoi presidenti Begaj 3 emra: Gent Ibrahimi, Arta Vorpsi dhe Arta Marku. Ibrahimi është vlerësuar me 88.38 pikë, Vorpsi me 88.22 pikë dhe Marku me 82.66 pikë.

Por ajo që bie në sy është se që të tre emrat janë mbështetur nga mazhoranca. Ibrahimi është kunat i deputetes së PS, Mimi Kodheli. Arta Marku është ish-kryeprokurorja për të cilën PS bëri “luftë” të madhe me PD. Ndërsa Arta Vorpsi është emri që shkaktoi konfliktin më të madh për Kushtetuesen, pasi Meta nuk e dekretoi dhe ajo u betua te një notere, duke sjellë konflikt mes mazhorancës dhe ish-presidentit.

Si duket Begaj nuk ka pasur shumë opsione zgjedhje dhe ka emëruar të parin në listë.

Njoftimi i Presidencës:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Bajram Begaj ka administruar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e krijuar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me mbarimin e mandatit të gjyqtarit Përparim Kalo, shpallur nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 13413 datë 13.01.2022.

Sipas praktikës dokumentare të dërguar, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me vendimin nr. 46 datë 28.10.2022 ka vendosur miratimin e Listës Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e plotë e shpallur nga

Presidenti i Republikës në datën 13.01.2022, si më poshtë:
1. Z. Genti Ibrahimi 88.38 pikë
2. Znj. Arta Vorpsi 88.22 pikë
3. Znj. Arta Marku 82.66 pikë

Presidenti i Republikës, pasi u njoh dhe vlerësoi praktikën dokumentare të vendimmarrjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si dhe duke vlerësuar nevojën për plotësimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, në mbështetje të neneve 93, 125 pika 1, 127 pika 3, 129, 149/d pika 1, të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me Dekretin nr. 13877, datë 7.12.2022, ka vendosur që:

• Z. Genti Ibrahimi të emërohet gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Aktualitet #Begaj Ibrahimi