Kosova 1 Shkurt 2023, 21:20

Pas “Martingate”, gara për Guvernator të Bankës së Kosovës orientohet drejt “Shkëndijegate”

Shkruar nga Pamfleti
Pas “Martingate”, gara për Guvernator të Bankës

Gara për Guvernatorin pritet të jetë afera e ardhshme e qeverisë së Kosovës. Mungesat në punë e papërgjegjësia nuk po e pengon Shkëndije Himajn që të ecë përpara në konkursin për Guvernatorë të Bankës Qendrore të Kosovës. Madje, ajo nuk dihet pse konsiderohet e preferuara për këtë pozitë.   

Prishtinë- Katër kandidatë janë zgjedhur në listën e ngushtë për të marrë drejtimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Ahmet Ismaili, Lulzim Ismajli, Nexhat Kryeziu, Shkendije Himaj, janë emrat që do të dërgohen në Kuvendin e Kosovës për votim dhe njëri prej tyre do ta marrë postin e Guvernatorit.

Teksa pritej që listën ta printe ndonjë prej kandidatëve të përfolur si të deleguar të LVV-së, partisë në pushtet, siç janë Emanuel Bajraj, Mentor Nimani…, emri që po lakohet më së shumti që do të përzgjidhet tani në pozitën e Guvernatorit është ai i Shkëndije Himajt, e cila prej disa vitesh punon në këtë bankë dhe është në mesin e katër kandidatëve të përzgjedhur nga 28 emrat që kandiduan.

Himaj edhe në vitin 2018 kishte kandiduar për guvernatorë të BQK-së, në kohën kur vendi qeverisej nga koalicioni i përbërë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), si dhe Aleanca Kosova e Re (AKR). Hyrja në një garë për vendin më kyç të shtetit, apo i treti post siç llogaritet më i rëndësishëm në hierarkinë shtetërore, natyrshëm kërkon dhe mbështetjen e politikës, e sidomos votat e partive politike në Kuvend. Edhe Himaj në atë kohë kishte paraparë përkrahje ndaj saj nga partitë në pushtet. Duke u ndjerë kështu e sigurt se nuk do të dështoi, ajo dorëzoi kandidaturën e saj për guvernatorë.

Mirëpo, ajo humbi në këtë garë dhe u sfidua nga ish guvernatori Fehmi Mehmeti që po ashtu ishte pjesë e garës në këtë vit. Himaj, “lulëzoi” në BQK gjatë kohës që në këtë institucion ishte guvernator Hashim Rexhepi, i cili me bekimin e Hashim Thaçit dhe PDK-së kishte ardhur në krye të Bankës Qendrore. Në këtë kohë, ajo shihej si një “guvernatore” në hije. Siç është shprehja e popullit, Himaj “printe dhe grinte”, në BQK në kohën e Hashim Rexhepit ( i cili në vitin 2010 ishte arrestuar nën akuzat për shpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrimit dhe ushtrimit të ndikimit). E siç duket ishte kjo gjë, që e penalizoi në garën për guvernatorë të vitit 2018-të, pra llogaritej si “njeri i Hashimit” dhe nuk ishte e përshtatshme për Ramush Haradinajn, Isa Mustafën e Behxhet Pacollin, tre krerët e partive që udhëhiqnin me pushtetin në këtë vit.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, e ka larguar nga puna, Shkëndije Himaj Zekajn, e cila së fundmi mbante pozitën “këshilltare e lartë e Bordit Ekzekutiv për sektorin financiar në BQK’.

“Pamfleti” ka raportuar dhe më parë se në vendimin për largim nga puna janë listuar disa vendime disiplinore që janë marrë kundër Himaj-Zekaj nga ana e menaxhmentit të BQK-së.

Ndaj saj ka pasur disa herë procedurë disiplinore me komisionet brenda BQK-së lidhur me shkelje të ndryshme që ka bërë gjatë përvojës së saj në cilësinë e Këshilltares së Lartë të Bordit Ekzekutiv për Sektorin Financiar.

Në media janë raportuar vonesa të ndryshme në punë, pushime mjekësore pa dëshmi të mjaftueshme, mosrespektim i rregulloreve të brendshme dhe shkelje të tjera, ishin evidentuar në një raport disiplinor për Shkëndije Himajn.

Në raportin e BQK-së, vërtetohet se Shkëndije Himaj në disa vitet e fundit është vlerësuar me nota të dobëta të vlerësimit. Madje, Komisioni kishte gjetur se Himaj nuk ka ofruar pothuajse asnjë këshillë për Bordin Ekzekutiv të BQK-së.

Më datë 25.01.2022, znj. Himaj Zekaj i është bërë vlerësimi i përformancës në punë për vitin 2021 (01 janar 2021 – 31 dhjetor 2021), ku me këtë rast është vlerësuar më notën Pamjaftueshëm (0- 1.4), që nënkupton vlerësim i dobët. Po ashtu edhe më datë 04.04.2022, znj. Himaj Zekaj, i është bërë vlerësimi i përformancës në punë për tre (3) mujorin e parë të vitit 2022 (01 janar – 31 mars 2022), ku me këtë rast është vlerësuar më notën Pamjaftueshëm (0-1.4), që nënkupton vlerësim i dobët. Po ashtu edhe më datë 05.05.022, znj. Himaj Zekaj, i është bërë vlerësimi i përformancës në punë për muajin prill të vitit 2022 (01 prill – 30 prill 2022), ku me këtë rast është vlerësuar më notën Pamjaftueshëm (0-1.4), që nënkupton vlerësim i dobët”, thuhet më tej në raport.

Ndërsa, Himaj ka argumentuar se nga ana e Guvernatorit kas pasur sulme të qëllimshme ndaj saj.

 “Siç edhe jeni ne dijeni përndjekja sistematike nga Guvernatori që më është bërë në vazhdimësi është rezultati kandidimit tim për Guvernator në vitin 2018 sepse unë kam guxuar të sfidoj kandidaturën e tij. E gjithë kjo periudhe e shoqëruar pastaj me kërkesa të vazhdueshme për shkelje ligjore, të cilat unë i kam kundërshtuar dhe për të cilat tani po ndëshkohem”, thuhet në e-mailin e Shkëndije Himaj- Zekës drejtuar bordit të BQK-së, kryeministrit Albin Kurti, presidentes Vjosa Osmani dhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, duke synuar kështu sërish nga ana e saj (Himajt) që këtë radhë të përfitoi mbështetjen e pushtetit (LVV-së) të ri për garën e vitit 2023 për guvernatorë.

Në anën tjetër, i gjithë procesi për zgjedhjen e Guvernatorit është zhvilluar me mungesë të transparencës. Kështu kanë deklaruar nga Lëvizja Fol, e cila nuk ka pranuar ta monitorojë konkursin pasi i është kërkuar të nënshkruajë një deklaratë konfidencialiteti. /Pamfleti

Prishtine Banka e Kosoves Guvernator Shkëndije Himaj