Aktualitet 2 Gusht 2018, 07:54

Pas oficerëve gjyqësorë, Donika Prela vë në rresht dhe prokurorët, listë me emrat që zvarrisin hetimet, në vjeshtë zba

Shkruar nga Pamfleti
Pas oficerëve gjyqësorë, Donika Prela vë në rresht dhe

Pas oficerëve gjyqësorë, Donika Prela vë në rresht dhe prokurorët, listë me emrat që zvarrisin hetimet, në vjeshtë zbardhen çështjet e bujshme

Kryeprokurorja e Krimeve të Rënda Donika Prela ka vënë në rresht si oficerët e policisë gjyqësore, ashtu dhe prokurorët. Pak ditë më parë doli në media një letër e saj, e cila kërkonte nga policia gjyqësore që t’i viheshin në dispozicion të gjitha të dhënat mbi çështjet që ata kanë në hetim.

Letra mban datën 20 korrik, por gazeta ka mësuar se një kërkesë e ngjashme është bërë dhe për prokurorët. Më 8 korrik 208 Prela ka kërkuar informacion mbi hetimet dhe nga prokurorët. Sipas burimeve, të gjithë prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësor e i kanë vënë asaj në dispozicion të gjithë të dhënat e kërkuara, duke e informuar me detaje se në çfarë faze janë hetimet për emra të njohur dhe çështje të bujshme.

Një burim pranë prokurorisë i tha gazetës se i gjithë qëllimi i këtyre kërkesave është për t’u dhënë fund zvarritjes së hetimeve. Në prokurori ka çështje që kanë më shumë se një vit nën hetim dhe nuk po zbardhen. Një ndër to është ajo e aferës CEZ-DIA, që po hetohet po nga Krimet e Rënda. Mësohet se Prela tani do të ketë një listë të qartë të të gjithë prokurorëve dhe policëve gjyqësore që zvarrisin çështjet. Më vonë pritet që për emrat problematikë ajo të kërkojë që të përshpejtojnë hetimet.

Bashkimi Europian pak ditë më parë kërkoi që të nisin arrestimet në nivele të larta. Shpresat janë te ngritja e SPAK, por me gjithë luftën e madhe politike që po bëhet, nuk dihet nëse këto organe do arrijnë të jenë 100 për qind funksionale. Për këtë arsye në lëvizje janë vënë Krimet e Rënda. Pritet që në vjeshtë të fillojnë arrestimet në nivele të larta me qëllim që BE t’i jepen sinjale se vendi ynë po lufton korrupsionin. Opozita ka aluduar se Prela ka shkelur ligjin me këto kërkesa, por në një reagim për mediat Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë të ditur se veprimet e Prelës janë të bazuar në ligj. Ligji i jep të drejtë kryeprokurorit të kërkojë informacion mbi çështje hetimore.

Dosjet e bujshme

Shefja e Krimeve të Rënda ditët e fundit ka nisur të shohë me detaje se si është ecuria e secilës dosje dhe nuk përjashtohet të ketë ndëshkim dhe për ata prokurorë që kanë zvarritur hetimet. Në të gjithë vendin ka dosje që mbahen pezull për vite të tëra. Me ndryshimet që janë bërë në ligj, asnjë dosje nuk mund të mbyllet pa vendim gjyqësor. Ka shumë nga ata prokurorë që e dinë se nëse shkojnë në gjykatë mund të rrëzohen dhe i mbajë pezull hetimet.

Një strategji të tille ndiqte Adriatik Llalla. Prokuroria e Përgjithshme kur Llalla ishte ende në detyrë nisi hetime për shumë dosje të bujshme dhe për vite e vite me radhë ato u mbajtën pezull. Rasti më flagrant është ai i çështjes së detit. Që në 2010 nisën hetimet ndaj një sërë zyrtarëve dhe çështja u pushua në fillim të 2017. Pra dosja u mbajt peng për 7 vite. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me dosjen e Albpetrol. Në 2012 nisi privatizimi, por kompania fituese u largua papritur duke mos lënë garancinë që parashikon ligji. Ende sot kjo dosje mbahet pezull.

Donika Prela ka vendosur t’i japë fund një strategjie të tillë dhe tani prokurorët do duhet që të mbyllin hetimet brenda afateve ligjore. Kjo do të thotë se në vjeshtë mund të ketë zhvillime për aferën e CEZ, rastin “Tahiri”, apo dosjen e vëllait të Xhafajt.SOT

Aktualitet