Aktualitet 3 Shkurt 2023, 20:52

Pas presionit të SHBA, Kurti merr mbështetje nga Erdogan për dialogun me Serbinë; presidenti turk kërkon "kokën" e gylenistëve

Shkruar nga Pamfleti
Pas presionit të SHBA, Kurti merr mbështetje nga Erdogan për

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurtit duket se ka gjetur mbështetje te Turqia sa i takon dialogut me Serbinë. Teksa SHBA e ka vënë me “shpatulla pas murit” dhe i kërkon të pranojë Asociacionin dhe paktin franko-gjerman, Kurti ka flutur sot drejt Ankarasë, ku pati një takim me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan.

Mes tyre është folur për shumë çështje, mes të cilave edhe për dialogun me Serbinë. Erdogan e ka bërë të qartë se është gati të futet mes Kosovës dhe Serbisë për të dialoguar. Deklarata e tij është një sfidë e qartë ndaj SHBA-BE, me të cilët raportet këto kohë nuk i ka dhe aq mirë.

Turqia është e gatshme të ofrojë të gjitha llojet e mbështetjes për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe të japë kontributin e nevojshëm nëse kërkohet nga palët. Ne shpresojmë që procesi i dialogut me Serbinë të rezultojë në një mënyrë që siguron paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm të rajonit. Do të marrim hapa për të fortifikuar marrëdhëniet tona me vëllezërit kosovarë”, ka shtuar Erdogan.

Por edhe pse kryeministri Kurti nuk e përmendi fare, në fakt është diskutuar dhe për gylenistët.  Presidenti turk ka kërkuar ekstradimin e tyre drejt Ankarasë.

Presidenti tha gjithashtu se i kërkoi Kurtit të rrisë bashkëpunimin me Türkiye-n kundër aktiviteteve në Kosovë të Organizatës Terroriste FETO, grupi që qëndron pas përpjekjes për grusht shteti të vitit 2016 në Türkiye”, raportojnë mediat turke.

Ndërsa Albin Kurti, gjatë takimit ka deklaruar se në Stamboll ka nisur “një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar”. Ai tha se me presidentin Erdogan kanë biseduar për raportet miqësore Kosovë-Turqi dhe për mënyrat se si mund t’i thellojnë ato me siç ka thënë, vullnetin e dyanshëm që kanë.

Folëm për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar, të sigurisë e të mbrojtjes. Diskutuam edhe për zhvillimet në rajon dhe më gjerë. Jemi gjithmonë mirënjohëse për rolin e Turqisë në intervenimin e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, për ndaljen e gjenocidit mbi popullin e Kosovës e që solli çlirimin dhe paqen në vend; për kontributin e pakursyer në ndërtimin e institucioneve; shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Republikës sonë; dhe për mbështetjen e plotë e të pakursyer të Turqisë në politikën e jashtme”, tha ai.

Duhet theksuar se Erdogan e ka vënë kusht kryesor për Tiranën dhe Prishtinën ekstradimin e gylenistëve dhe mbylljen e shkollave të FETO. Mbetet të shihet nëse Kurti i ka dhënë fjalën apo jo për marrjen e masave.

Kryesore Erdogan Kurti