Aktualitet 3 Maj 2018, 05:58

Pas prokurorëve, gjyqtarëve dhe policëve, ky është institucioni i rradhës që do të kalojë në “sitën” e Vettingut

Shkruar nga Pamfleti
Pas prokurorëve, gjyqtarëve dhe policëve, ky është

Pas prokurorëve, gjyqtarëve dhe policëve, ky është institucioni i rradhës që do të kalojë në “sitën” e Vettingut

Pas prokurorëve, gjyqtarëve dhe policëve, edhe avokatët do të kalojnë në “filtrin” e vetingut. Kjo gjë është bërë e ditur ditën e djeshme nga kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia dhe deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni në Komisionin e Ligjeve, ku i prezantua projektligji i ri për organizimin dhe funksionimin e profesionit të avokatit, si pjesë e paketës së reformës në drejtësi. Fillimisht, ishte avokati Haxhia, ai i cili deklaroi se ashtu si vetingu në radhët e gjyqtarëve, prokurorëve dhe policisë, duhet të nisë procesi edhe për avokatët.

“Është produkt i përbashkët i reformës në gjyqësor. Në këtë masivitet ka edhe avokatë që nuk e meritojnë të ulin e emrin e profesionit të avokatëve”, deklaroi ai. Në të njëjtën linjë me avokatin Haxhia u rreshtua edhe deputeti socialist, Alket Hyseni, i cili ishte edhe hartues i projektligjit. Teksa përmendi vetingun mes avokatëve, ai theksoi se kjo kategori është e vetmja e pa përfshirë në këtë proces deri tani pas prokurorëve, gjyqtarëve dhe efektivave të policisë, duke kërkuar që të nisë verifikimi, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e shërbimit sa i takon këtij profesioni.

“Në radhët e avokatëve ka shumë për tu përmirësuar, ka shumë njerëz që me anë të këtij ligji do ta gjejnë veten jashtë sistemit të drejtësisë dhe radhëve të avokatëve”, deklaroi Hyseni. Ndërkohë që nga ana tjetër, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila ishte e pranishme në Komisionin e Ligjeve theksoi se me ligjin e ri parashikohet ngritja e strukturave antikorrupsion pranë Dhomës Kombëtare të Avokatëve, ndërsa shtoi se parashikohet edhe forcimi i masave ndëshkuese.

“Konkretisht, rishikimin e kompetencave të Komitetit të Disiplinës për fillimin dhe kryesisht të një çështje kundër avokatit në rastet ku gjatë shqyrtimit të një çështje zbulohet një tjetër shkelje e kryer nga avokati, rishikimin e rolit të komisionerit të ankesave për moskalimin, raportimin e të gjithë ankesave të pa bazuara në ligj në Komitetin Disiplinor si dhe kohëzgjatjen e mandatit të anëtarëve të Komitetit Disiplinor dhe të kryetarit të Komitetit Disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Përfshirja e rregullave të qarta antikorrupsion lidhur me punën e avokatëve si dhe përcaktimin e masave të pezullimit apo heqjes së lejes së ushtrimit të profesionit”, deklaroi ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj./SOT

Aktualitet avokatët gjyqtarët policët prokurorët Vettingu