
Në bazë të urdhrit nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë për kontrollet e kamerave, të cilat janë vendosur në mënyrë të jashtëligjshme, edhe drejtoria vendore e Policisë së Korçës është duke identifikuar rastet e shkeljes.
Mësohet se 31 kamera janë hequr në qytetin e Korçës dhe atë të Pogradecit. Kontrollet do të vijojnë edhe në qytetet e tjera të juglindjes dhe nëpër fshatra.
Policia e Shtetit ka nisur verifikimin e kamerave të sigurisë që dyshohet se janë instaluar dhe përdoren nga grupet kriminale. Ky operacion është shtrirë edhe në Vlorë.
Aksioni vjen pasi në Shkodër u sekuestruan disa kamera ë dyshohet se ishin instaluar nga grupet kriminale në lagjet “Guerrile”, “Salo Halili” dhe “Kongresi i Përmetit”.
Për gjetjen e personave që i kishin vendosur ato në këto zona, në polici janë shoqëruar disa persona, por dëshmitë e tyre nuk kanë ndihmuar hetuesit. Identifikimi i personave të cilët kanë vendosur këto kamera është një mision tejet i vështirë për policinë, pasi komandimi i tyre bëhej përmes celularit.
Sipas uniformave blu qëllim i instalimit të këtyre kamerave ishte sigurimi i informacioneve për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë.
Policia e Shtetit prej ditësh ka nisur një aksion për zbulimin e kamerave të sigurisë të instaluara në rrugët e qytetit, apo në biznese lokale, të cilat mund t’i shërbejnë organizatave kriminale.
Pas Shkodrës ku nisi aksioni, kontrollet u bënë ditën e djeshme edhe në Vlorë.