Kosova22 Nëntor 2022, 14:05

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka paralajmëruar protesta në institucionet e Kosovës.

Këtë paralajmërim ai e bëri nën arsyetimin se serbët “nuk mund ta tolerojnë terrorin e Prishtinës”.

Në konferencën për media pas këtij takimi urgjent të thirrur nga Vuçiçi, Rakiç ka thënë se në Bruksel nuk është arritur asnjë marrëveshje, për të cilën siç ka thënë, është përgjegjëse Prishtina.

“Të gjithë ata që bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje sot e dinë se kush është ana destruktive. Ne duam vetëm paqe. Ne kërkojmë vetëm që të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara. Duam të jetojmë të qetë, të jemi vetvetja në vendin tonë dhe të qëndrojmë në vatrat tona. Tri pika i thyen shpinën devesë: Shkarkimi i Nenad Gjuriçit, vendimi për heqjen e targave të Serbisë dhe fakti që Asociacioni nuk është formuar ende. Me ne është edhe Ivan Todosijeviç, i cili u dënua për fjalët e tij. Policia speciale, njësitet po i ngacmojnë vëllezërit, motrat, janë katër baza të reja, na kanë ndaluar të vaksinojmë, zgjedhjet, referendumi. Ka pasur sulme të panumërta dhe këto janë mesazhe të qarta se nuk na duan këtu, si dhe që të kthyerit nuk janë të mirëseardhur”, ka thënë Rakiq, raporton mediumi serb “Kosovo Online”.

Ai paralajmëroi protesta në shumë institucione.

“Nuk kemi ku të shkojmë dhe shpresoj se nuk do të duhet të mbrohemi. Njerëzit nuk mund të tolerojnë më torturat që po bën Prishtina. Do të kemi protesta në shkolla, qendra shëndetësore dhe në të gjitha institucionet e tjera”, ka thënë Rakiç.

Pas bisedimeve të djeshme në Bruksel, ku nuk është arritur një marrëveshje për targat midis Kosovës dhe Serbisë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka thirrur takim urgjent me përfaqësuesit e komunave veriore në Kosovë.

Prishtine Aleksandar Vuçiq dialogu Kosovë-Serbi Lista Serbe

Kosova