Aktualitet29 Prill 2018, 15:49

“Pas vdekjes, babai më dilte çdo natë në ëndërr”, Eva rrëqeth me historinë e saj

Shkruar nga Pamfleti
“Pas vdekjes, babai më dilte çdo natë në

“Pas vdekjes, babai më dilte çdo natë në ëndërr”, Eva rrëqeth me historinë e saj

Në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, është sjellë historia e Evës, e cila humbi babanë e saj 6 vjet më parë, atëherë kur kishte edhe më shumë nevojë për të.

Eva kishte 8 vite që rrotullohej nga një cep i botës në tjetrin, me përpjekje të dështuara për të sjellë në jetë një fëmijë.

Në rrëfimin e “Ka një mesazh për ty” ku ajo thirri hallat për t’u dhënë mesazh, një pjesë të madhe të historisë zë dhe kalvari i vuajtjeve për t’u bërë nënë.

“Kisha pas shpatullave 12 fekondime in vitro negative, isha mbushur plot me hormone, sistemi nervor nuk mbante më”, tregon Eva e cila ishte përpjekur për një shtatzëni që në ditën e parë të martesës.

“Gjatë këtyre 8 viteve, qava, u bëra armike me Zotin, jetoja me pyetjen Pse duke mos pasur asnjë arsye shëndetësore, u bëra xheloze me ato gratë që më dilnin përpara me barkun e madh se pse ato Po, dhe unë Jo. U bëra armike me të gjithë, herë me të drejtë dhe herë pa të drejtë”, tregon me sinqeritet Eva.

Disa herë me të drejtë sipas saj, sepse njerëzit flisnin për të pas krahëve për faktin se ajo s’bënte fëmijë, madje njerëz të afërt. Por disa herë edhe me të padrejtë sepse shumë njerëz ndoshta pa dashje uronin që të bëhej me djalë apo me vajzë. “Dhe unë thosha po këto sa të pashpirt, sikur nuk e dinë që unë nuk po mundem”, shton ajo.

Humbjen e babait ajo e përjetoi shumë keq pasi me të kishte lidhje shumë të veçantë. Një vdekje e papritur të cilën ajo tregon se e kishte parandjerë. Ndërkohë i ati çdo natë i shfaqej në ëndërr duke i thënë që të vazhdonte me përpjekjet për t’u bërë nënë edhe pse ajo i kishte humbur të gjitha shpresat.

“Çdo natë më thoshte, shko të keqen babi se do bësh një vajzë të bukur do ia vësh emrin Jasemina. Vajta tek halla ime e madhja dhe i tregova. Ajo më tha “të keqen halla nisu se babi të ka dhënë bekimin. Ai ka shkuar atje për të të dhënë një fëmijë.

U bëra shumë keq, nuk doja të ikja sepse mendoja se do ndërroja babain me fëmijën”. Eva po përjetonte ditët e fajit, i cili e rëndon edhe sot e kësaj dite. “Kam përshtypjen se unë e lodha shumë babin me hallet e mia dhe u bëra shkak”, i thotë ajo Arditit.

Niset për në Turqi vetëm për hir të ëndrrës së babait, edhe pse doktoresha atje nuk ishte dakord që ajo të provonte sërish për shkak të historisë së saj të gjatë të fekondimeve që kishin arritur në 12.

“Është një masakër për femrën, sepse merr shumë hormone të rënda, trupi yt deformohet, mendja jote deformohet, të kapin halucinacionet, të kap paniku, takikardi e vazhdueshme. I kam jetuar 8 vjet pasi me këmbëngulje bëja fekondime çdo 7 muaj”, tregon Eva. Por ajo sërish nuk u dorëzua. Kësaj here kishte një motiv akoma më të madh.

“Pas 2 javësh shkoj për të marrë përgjigjen. Doktoresha më tha se isha shtatzënë me dy binjakë. Më besoni, tre muaj në çdo natë shkoja babi që më vinte duart në bark”, tregon ajo. Babai i kishte thënë në ëndërr se do bënte një vajzë me emrin Jasemina. Në muajin e tretë të shtatzënisë ajo humb njërin nga bebet që ishte djalë, por nuk u ligështua.

“Doja të kaloja një shtatzëni pa derdhur asnjë pikë loti, se mezi e prita”. Tashmë Eva është nënë e dy fëmijëve, të Jaseminës 5 vjeçare dhe një djali që është pothuaj 3 vjeç.

“40 ditë e 40 net nuk kam fjetur nga kënaqësia. Nuk besoja se ishte e imja”, tregon ajo kur solli në jetë fëmijë e parë. “Babi është engjëlli im dhe i fëmijëve të mi”, përfundon ajo historinë e gjatë të përpjekjeve për t’u bërë nënë.

Sociale “Pas vdekjes babai më dilte çdo natë në ëndërr” Eva rrëqeth me historinë e saj