Aktualitet 5 Shkurt 2022, 14:33

Pasardhësi i Gjukanoviçit: Kush është 38 vjeçari që drejton Podgoricën

Shkruar nga Pamfleti
Pasardhësi i Gjukanoviçit: Kush është 38 vjeçari

Pasardhësi i Gjukanoviçit: Kush është 38 vjeçari që drejton Podgoricën

Në mediat e Malit të Zi, por edhe në ato të rajonit, si në Kroaci për shembull, ku është instaluar qendra proamerikane e Ballkanit, po flitet gjithnjë e më shumë për njeriun që do të zëvendësojë Milo Gjukanoviçin, politikanin që është në pushtet  që prej vitit 1991 në Podgoricë.

Ai është 38 vjeçari Ivan Vukotiç, i cili prej vitit 2018 është edhe Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit të Malit të Zi.

Nënkryetar i Partisë Demokratike të Socialistëve, ai pritet të zëvendësojë Millon së shpejti, pasi presidenti i Malit të Zi, të bëjë deklaratën e largimit nga politika.

Sipas sondazheve të fundit, që i publikon gazeta kroate ‘Jutarnij List’, DPS e Gjukanoviçit, nëse do të zhvilloheshin zgjedhjet sot do të fitonte 26.4 për qind  të votave, duke dalë parti e parë në vend.

Në vendin e dytë renditën demokratët e moderuar pro-serbë do të fitonin rreth 17 për qind, ndërkohë ekstremistët e Frontit Demokratik zbresin të tretët me rreth 15 për qind mbështetje.

Zdravko Krivokapiç, me formacionin e tij të qendrës që mbështetet nga Kisha Ortodokse Serbe do të merrte rreth 11 për qind.

Ndërkaq, URA e Dritan Abazoviçit është rritur dhe mund të shkonte në nivelin e 8% nga 4% që mori 2 vjet më parë.

Ivan Vukotiç, i cili konsiderohet properëndimor i vendosur, është një jurist në profesion me një përvojë akademike pasi ka drejtuar Fakultetin e Shencave Politike të Universitetit të Podgoricës. I lindur në kryeqytet, Vukotiç është një nga ata që quhen “peshkopë”, pasi ka qenë nxënës i shkëlqyer në të gjithë nivelin e arsimit. Pikërisht nga këto rezultate ai u pranua si profesor në Universitetin “George Uashington”, në kryeqytetin e SHBA-së.

Në referendumin për pavarësinë e Malit të Zi, Vukotiç u bë kreu i një lëvizje rinore që përkrahte sovranitetin e vendit dhe shkëputjen e tij nga Unioni me Serbinë.

Në fillim karrierën e nisi si editorialist për politikën e jashtme në të përditshmen ‘Pobjeda’ të Podgoricës, ndërkohë që u doktorua në Universitetin e Harvardit me një tezë nga rajoni.

“Aksioni i partive në regjimet hibride në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”, quhej tema e diplomës, e cila pati interes nga qarqet akademike dhe politike në SHBA.

Vukotiç hyri në politikë aktive në 2018 dhe që atëherë u pa si një pasardhës i Millos.

Në zgjedhjet presidenciale të 2018-s, ai mbështeti fort Gjukanoviçin, ndërsa në zgjedhjet vendore të po atij viti ishte kreu i listës së DPS-së për këshillin bashkiak, ku arriti një rezultat fitues. Më pas u zgjodh kryetar i Bashkisë, e njëkohësisht numri dy i DPS.

Largimi i Milo Gjukanoviç kërkohet edhe nga Brukseli, në këmbim të mbështetjes për opsionet pro-malazeze. Gjukanoviç ka ende rreth një vit mandat presidencial, deri në vitin 2023, por me shumë mundësi ai fillimisht do t’ia dorëzojë udhëheqjen e DPS-së Vukoviçit dhe pastaj dalëngadalë do ta përfundojë mandatin.

Siç shkruan ‘Jutarnij List’, një nga kushtet më të rëndësishme është që Gjukanoviç të mos preket dhe të mos ndiqet penalisht, siç kërkohet nga opozita proserbe, dhe këto janë detaje që, nuk janë pranuar nga Dritan Abazoviç./Pamfleti

Kryesore #Kush është 38 vjeçari që drejton Podgoricën #Pasardhësi i Gjukanoviçit