Kronike 3 Shkurt 2023, 23:45

Pastruesja i vodhi miliona lekë në banesë, arrestohet Alda Klosi

Shkruar nga Pamfleti
Pastruesja i vodhi miliona lekë në banesë, arrestohet Alda Klosi

Policia e Tiranës ka vënë në pranga ish-drejtoreshën e Koncesioneve Alda Klosi, të cilës ju vodhën qindra mijëra euro në banesë.

Pak kohë më parë ishte pastruesja Rozeta Dobi, e cila mori në banesën e Klosit mbi 120 mijë euro dhe bizhuteri me vlerë të lartë. Klosi në atë kohë u justifikua se paratë ja kishte dhënë xhaxhai, i cili kurohej nga kanceri. Por policia dhe prokuroria e Tiranës kanë siguruar prova se pasuria nuk është e justifikuar, madje ajo akuzohet për pastrim parash dhe prandaj është arrestuar. Urdhri u firmos nga prokurorja Mirela Zavalani.

Gjithçka nisi pas denoncimit për vjedhjen e banesës te “Rruga e Kosovarëve” nga zyrtarja shtetërore Alda Klosi. 120 mijë euro u referua se janë vjedhur, por shuma kap një vlerë shumë të lartë krahasuar me të ardhurat e saj si e punësuar në shtet dhe përse i mbante në banesë një shumë të tillë. Sipas skemës së zbuluar nga policia, Rozeta Dobim, e cila punonte si pastruese prej 20 vjetësh, në bashkëpunim me djalin e saj, vidhte të pasurit duke shfrytëzuar momentin kur pronarët nuk ndodheshin aty, përmes çelësit që kishte kopjuar. Të dy u arrestuan, ndërsa në banesë ju gjetën edhe mbi 400 mijë euro të tjera që dyshohet se janë po të zyrtares shtetërore.

Vetë dëshmia e Alda Klosit në polici ka qenë kontradiktore. “Profesioni im është juriste. Prej rreth 2 muajsh unë kam marrë një banesë me qira tek pallatet ‘Orion’, në Rrugën e ‘Kosovarëve’ dhe jetoj së bashku me vajzën time e cila është 16 vjeçe. Sot rreth orës 10.08 kam dalë nga banesa, kam mbyllur derën me çelës dhe kam marrë makinën poshtë pallatit. Gjatë kësaj kohe kam shkuar në një takim me dy mikeshat e mia tek OSSHE. Pasi kam mbaruar takimin kam shkuar në zyrë tek Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare që ndodhet në afërsi të Gardës së Republikës. Rreth orës 14.00 më ka telefonuar vajza ime dhe më ka thënë se dera e banesës ishte e hapur. Unë i thashë se e kam mbyllur derën por ajo më tregoi se të gjitha rrobat ishin të shpërndara nëpër dhomën e gjumit”, deklaroi Alda klosi më 15.12.2022.

Por ato që e rënduan më shumë pozitën e zyrtares Klosi para ligjit, u bënë dëshmitë e saj dhënë para grupit hetues mbi origjinën e parave të grabitura nga pastruesja e në apartamentin e saj.  Sipas dëshmisë së parë të dhënë para oficerëve të policisë, ditën e ngjarjes, Alda Klosi rezulton të jetë shprehur se në këtë ditë ka qenë në Shqipëri. Dhe se lajmin për grabitjen e mësoi nga vajza e saj, e cila e kishte gjetur banesën në gjendje të ç’rregullt.

Por, siç do të shikohet më poshtë në intervistimin e saj të parë nga oficeri i policisë gjyqësore, Alda Klosi, nuk flet asgjëkundi për sasinë e madhe të parave që ishte grabitur në banesën e saj.

Por vetëm për para që sipas saj shërbenin për shpenzime vetjake. “Nga kontrolli paraprak kam konstatuar se më mungonin edhe një sasi parash për shpenzime dhe mbarëvajtjen jetike të përditshme. Gjithashtu mua më mungonin edhe bizhuteritë nga të cilat katër kanë qenë byzylykë floriri, disa unaza, disa palë vëthë dhe bizhuteri të tjera por që unë nuk jam në gjendje t’i përshkruaj, si dhe vlerën nuk jam në gjendje ta përcaktoj”, ka deklaruar ajo.

Por zbulimi që do vinte më pas do të ishte tronditës. Pasi nga hetimet dhe identifikimi i autorëve të grabitjes, që në fillim dukej një vjedhje e zakontë, rezultoi se shuma e parave i kalonte shumëfish shpenzimet vetjake.

Kronike