Operacioni Forca e Ligjit u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë katër të dënuarve. Personat që duhet të justifikojnë pasurinë që dyshohet se e kanë krijuar nga aktivitetet kriminale janë Mario Tebexhiku, banues në Korçë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; Arben Shquti, banues në Korçë, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, mbetur në tentativë; Ledio Çyçllari, banues në Korçë, i dënuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe Emiljan Gjepali, banues në Durrës, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.