Aktualitet 9 Gusht 2018, 07:27

Pasurimi i gjyqtarëve, nga dhurimi i baballarëve tek lajthitjet noteriale

Shkruar nga Pamfleti
Pasurimi i gjyqtarëve, nga dhurimi i baballarëve tek lajthitjet

Pasurimi i gjyqtarëve, nga dhurimi i baballarëve tek lajthitjet noteriale

Ashtu siç nuk ia dolën antarët e Gjykatës Kushtetues dhe shumë gjyqtarë e prokurorë në shkallë të ndryshme të gjyqësorit, të cilët ngecën brenda rrjetës së verifikimit.

Shkruan Bardhyl Bejko

Gjatë tërë periudhës kohore të verifikimit të pasurisë së gjyqtarëve, të asaj të deklaruar, jo të hamendësuar apo të imagjinuar e përgojuar, se sipas këtyre llogarive i bie që shifrat e shkruara në llogaritë pranë ILDP-së të shumëzohen me njëqind e një mijë po kjo do ishte të bazoheshim në gjuhët e këqija, në procesin e vettingut të gjithë gjyqtarët e prokurorët që nuk justifikojnë as shumat në të holla, pallate, vila, makina, orë milionëshe, apo ato që emërtohen “pasuri në natyrë”, tokë arë, ullishta, kullota, pyje, plazhe edhe për atë pjesë që kanë deklaruar kur paraqiten para KPK, sjellin argumente e justifikime nga më të çuditshmet.

Për të gjithë që kanë kaluar në skanerin e vettingut, pasuria është, ose e prejardhur, ose e dhuruar e transferuar e dërguar me postë, me zarfa, me pako, me aeroplan, me taksi e gjithë format e komunikimit në dhënie marrje. Origjina e pasurisë sipas alibisë së njerëzve të drejtësisë është e fituar nga shitja e aksioneve. Është fryt nga fitimet, nga punët e dyta e të treta të kryera prej zyrtarëve të drejtësisë gjatë karrierës së tyre nëpër auditore, ose nga shkrime të artikujve dhe librave për disa të veçantë që vijnë nga fusha akademike.

Nga ballafaqimet e kryera gjatë seancave dëgjimore, ku shumica e gjyqtarëve janë përfaqësuar para trupave gjykuese me avokat dhe nuk kanë preferuar të mbrohen vetë, edhe pse janë specialistë të fushës, (por kjo është një zgjedhje e tyre), sa herë kanë ngecur me deklarimet dhe nuk kanë mundur t’i justifikojnë pasuritë me të ardhurat e ligjshme që janë siguruar përmes pagave, shpërblimeve, qerave apo kontratave të përligjura për pasuri të patundshme, të gjithë si hallexhinj, i janë drejtuar burimeve të përfitimit.

Burime të cilat në shumicë, janë ose dhurues familjarë ose të afërm, që nga gjyshi, (që në rastet kur ndonjëri prej tyre ka qenë emigrant në Amerikë deri larg në Australi, kanë qëlluar zemërbehar e shpirtmëdhenj të paparë dhe kanë zbërthyer kuletën e kanë shqyer portofolët për t`u dhuruar, nipave, kushërinjve dhe familjarëve e të afërmve të tyre, para me kile). Dhurata pafund nga të afërm, që edhe pse shumë-shumë larg fizikisht, që shumicën e rasteve shkon në mijëra kilometra dhe kanë shumë-shumë vite pa u parë, nuk janë ndalur së dhuruari.

Unë dhe shumë miq të mi asnjëherë në jetën tonë nuk kemi pasur fatin të fitojmë ndonjë kacidhe, dhuratë, deri asnjë këmishë apo një palë këpucë, edhe pse kemi nja njëqind a dyqind kushërinj në SHBA deri në Indi, pa folur për këtu më afër në Greqi, ku njerëz të fisit dhe trung familjar jetojnë prej vitesh dhe falë punës së tyre të palodhur dhe sakrificave të pallogaritura kanë blerë shtëpi, kanë hapur biznese, kanë shkolluar fëmijët dhe së fundi kanë parë nga pak edhe prindërit e tyre të moshuar që i sollën në jetë dhe i rritën, duke i shkolluar e edukuar.

Megjithatë, edhe për babanë e nënën, emigrantët kanë dërguar para me llogari të shtrënguara për vetë faktin se të ardhurat janë të numëruara dhe mundi për t’i siguruar është i jashtëzakonshëm. Në këtë aspekt, dora rrudhet dhe bamirësia ngurtësohet, pasi në dhe të huaj e vlerësojnë edhe centin se është rrjedhojë e mundit dhe e punës së sforcuar me dy e tre turne.

Këta tanët, edhe pse në vende të pasura kanë mbetur me pasurim modest. Dhe kanë qenë cingun për të na dhuruar para e mall, aq më tepër të na ftojnë ndonjëherë andej nga vendet ku jetojnë për të hapur edhe ne sytë mes fisit që ia doli të emigrojë dhe të integrohet në shoqëritë moderne. Po ja që nuk kemi qëlluar në fis dorëlëshuar si ata të gjyqtarëve e prokurorëve.

Këtë fat e kanë vetëm gjyqtarët dhe prokurorët tanë, të cilët kanë bërë prej kohësh listat e familjarëve dhe miqve në vendet e zhvilluara dhe kanë vendosur marrëdhënie të shumta me ta. Kanë hartuar pasqyrat e shumave që do dhurojë secili. Të ndara. Veç gjyshërit. Kushërinjtë. Krushqitë. Në kolona të posaçme monedha e klering. Ata nga matanë atdheut u kanë qëlluar të gjithë të kamur dhe ajo që është më evidente, zemërmirë dhe bujarë pa kufi.

Të ishin ndryshe, nuk do i dorovitnin të tyret me kaq shumë dhurata dhe para të dërguara kesh në dollarë, euro, paund apo franga. Dhe kështu të “pasurit” e fisit u kanë dhënë gjyqtarëve tanë pasurinë e tyre, dhe këta menjëherë e kanë deklaruar këtë pasuri të “dhuruar” në organet kompetente, dhe tani që u shoshitet pasuria e kanë si argument për të vërtetuar burimin e pasurisë. Askush nga gjyqtarët dhe prokurorët në hall për të justifikuar pasurinë nuk ka përtuar për të deklaruar se vërtetë nuk justifikohet pasuria me të ardhurat gjatë punës së ligjshme po është e dërguar nga fisi që nga larg ndër vite. 

Deklarata të tilla të qepura shëmtuar kaq keq si arni i zi mbi pantallona të bardha, nxjerr zbuluar deklaruesit. Populli me intuitën që e ka shqisën më të mprehtë nuk mund ta hajë kaq lehtë këtë alibi. Aq më pak institucionet e vettingut. Po sidoqoftë, duhet të merren edhe me gjurmimin e gjyshërve e baballarëve, të gjejnë adresat e tyre, punët ku kanë punuar ndër vite, të ardhurat e siguruara nëse kanë qenë të kamur deri në atë masë që u kanë dhuruar fëmijëve dhe nipave që punojnë në sistemin e drejtësisë këtu në Shqipëri.

“Bujarët” e “dorëlëshuarit” e matanë oqeanit kanë qëlluar vërtetë shumë humanë. Ata, më shumë se jetën e tyre kanë menduar për ruajtjen nga korrupsioni të të afërmve në Shqipëri. Dhe që këta të mos bien në batak e të mos ndyjnë duart me ca para të fëlliqura që mund të kenë prejardhje kriminale iu kanë dërguar pafund para dhe pasuri. Mjafton të mos përlyhen e të ruajnë dinjitetin e tyre pa i trazuar askush, aq më pak pa u joshur para askujt.

Këto argumentat me pasuri të dhuruara e të falura, të transferuara, të prejardhura, të trashëguara, të përfituara nga specialistët e drejtësisë, si alibi për të justifikuar milionat të duken aq bajate e pa sens sa thua:- Mirë e kanë vënë pasurinë në rrugë abuzive e kanë fituar në shkelje të ligjit, kanë bërë gjyqe duke parë subjektin e gjykimit, jo nga dokumetat e provat po nga xhepat e duart, po pse zgjedhin një rrugë kaq ordinere për opinionin e gjerë shoqëror dhe vetë organizmat e vettingut për të fshehur gjurmët e faktet se si është fituar kaq shumë?

Si është e mundur që vetë gjyqtarët e prokurorët kanë qëlluar të gjithë nga fise kaq bujare e dhurues të panjohur deri tani këtu në Arbëri? Si ka mundësi që kur gruaja është punonjëse e sistemit të drejtësisë, ajo rezulton e varfër dhe burri që është njeri i zakonshëm del i pasur? Kurse gjyqtarja dhe prokurorja është e këputur, që mezi kapërcen muajin me pagën dhe të ardhurat modeste.

Po burri ose bashkëjetuesi i ka xhepat sa një thes? Është i kamur dhe bujar i madh ai bashkëshort që nuk është në sistemin e drejtësisë? Si është e mundur që vetë gjyqtarët dhe prokurorët kanë kaq shumë të pasur brenda familjes dhe fisit? Bile edhe miqtë u falin para e pasuri pa asnjë interes këtyre burrave dhe grave të togave të zeza!

Këto strategji e zgjedhur si mbrojtje para ekspertëve dhe trupave të gjykimit, janë qesharake dhe të papranueshme nga logjika normale. Është e pafalshme, jo vetëm rruga për ta vënë këtë pasuri, e cila në shumë raste shkon në miliona euro, po më qesharake është rruga e zgjedhur për t’i motivuar këto fitime përmes alibive që bien erë nga larg. Adriatik Llalla, kreu i akuzës deri muaj më parë, rezultoi në krye të piramidës së pasurisë së fituar në rrugë të pandershme në sistemin e drejtësisë. Vetë posti më i lartë në strukturat e prokurorisë i ka dhënë atij edhe statusin si më i pasuri i kësaj strukture.

Dhe llogaritë bëhen me hektarë e jo me metër katror tokë ar e pemishte, ullishte e llogari bankare. Zoti Llala nuk qëndroi fare këtu për të sqaruar se cili “bamirës” i dhuroi tërë këtë pasuri! Po nuk është i vetëm në këtë rrugëtim. Edhe kreu i Gjykatës së Lartë, Zaganjori nuk e justifikoi dot pasurinë. Edhe ai u gjend para tërë këtyre kontradiksioneve të burimit të të ardhurave, ndaj edhe do ketë rigjykim. Ashtu siç nuk ia dolën antarët e Gjykatës Kushtetues dhe shumë gjyqtarë e prokurorë në shkallë të ndryshme të gjyqësorit, të cilët ngecën brenda rrjetës së verifikimit.

Ajo që të çudit që nga gjyqtari Broci e më parë zoti Lulo e shumë të tjerë, lista e të cilëve është e gjatë dhe do zgjatet edhe më shumë, është argumenti se paratë vijnë gjithnjë nga dhurimet e fitimet që transferohen nga të pasuritë, njerëz të fisit, tek prokurorët e gjyqtarët tanë që për pak vite e gjetën veten në krye të piramidës së të pasurve.

Mes biznesmenëve dhe para tyre. Natyrisht pasurim rrufe pa djersë, pa punë, po përmes lëshimeve dhe shkeljeve flagrante të ligjit. Dhe fajtorët, të liruarit, të stimuluarit, ata që i zë halli, janë realisht dhuruesit të vërtetë, janë bankomatët që japin para, jo nga malli, po nga halli. Jo se janë vërtetë kaq bujarë. Po “dhurojnë” se u ka zënë samari zverkun.

Po në kontigjentin e milionerëve të sistemit të drejtësisë, këtu nuk vëmë shenjën e barazimit as barazitizmin për ti bërë të gjithë njëlloj. Kur gjyqtari apo prokurori ka rezultuar pa familjar në Amerikë apo shtete të tjera, burimin e pasurisë e ka gjetur tek transfertat bankare, shitja e aksioneve, apo forma të tjera të transfertave financiare si të jenë jo gjyqtarë, po bankierë. 

Këto ditët e fundit, pas vargut të gjatë të verifikimit të pasurisë dhe personalitetit, profesionalizmit të gjyqtarëve i erdhi radha edhe gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Gjin Gjoni. Një gjyqtar ky që prej kohësh është përgojuar për miliona euro në llogari bankare. Po që ai në sqarimet publike i ka konsideruar të ligjshme dhe të fituara nga bashkëshortja e tij.

Pa akuzuar askënd aq më tepër zotin Gjoni, të bën përshtypje dhe të vë në mendime se si ai sqaron 18 kontestimet e ILDKP-së. Arrin deri atje sa për shumën 700 mijë euro, sikur të ishin shtatë mijë lekë ta paraqesë si një gabim material të noteres gjatë përpilimit të kontratës. Dhe se pasuria është e bashkëshortes Elena Çaushi.

Dhe flitet për 700 mijë euro, 150 mijë, 53 milionë lekë të reja, e shuma pafund, të cilat janë deklaruar ndër vite po që sot gjatë hetimit nga ekspertët e organeve të vettingut, llogaritë dalin se nuk janë korrekte. Për këtë situatë, vetë gjyqtari Gjoni ka dhënë sqarime në prokurori. Për ne nuk ka fare vlerë renditja e shifrave. As fakti nëse këto të ardhura e të tjera janë të ligjshme apo jo. Ajo që duam të nënvizojmë është gjykimi i gjyqtarit se ky është një gabim njerëzor, material i një notereje. Gjoni është gjyqtar, që ka detyrimin ligjor e profesional të verifikojë imtësisht raste, kur përballë ka individë që kanë probleme me ligjin pasi prej këtyre provave dënon qytetarët që kanë bërë faj.

Po a është logjike të thuhet se i ka shkarë noteres se ai nuk e ka studiuar dhe nuk i ka vlerësuar këto lajthitje shifrash? Më e pakta, kjo flet për një alibi që nuk të nxjerr në bregun e ndershmërisë. Ndaj Gjin Gjoni nuk duhet të fshihet pas noteres. Atij i lind detyrimi që të verifikojë, të peshojë e të matë me korrektesë fakte, prova e ngjarje, se kjo është puna e tij. Po kur ka detyrimin për ta bërë këtë për gjithë të tjerët, si ka mundësi që nuk e bën së paku për vete? 

Vetingu në drejtësi është një terapi që po zbulon sëmundje nga më të ndryshmet. Nxjerr në dritë fakte dhe episode që lexohen në dritë të diellit se shumë pasuri vijnë jo nga bujaria e gjyshërve por nga korrupsioni. Grabitja. Përfitimi. Shtrëngimi. Manovrat në emër të drejtësisë dhe lojës me ligjin. Është absurde t`u biesh daulleve siç bëhet, se pasuria e gjyqtarëve, ajo e deklaruar në organet kompetente, është me burim ose nga dhurues bujarë nga fisi e farefisi, miqësi e krushqi, kushërinj e vëllazëri, ose nga një shkarje e lajthitje gjatë përpilimit të kontratave nga noterë e llogaritarë që i marrin padashur shifrat e milionave zvarrë.

 

Forum Bardhyl Bejko gjyqtarët noterët