Aktualitet15 Gusht 2022, 09:25

Patentat shqiptare do të njihen edhe në Arabinë Saudite, marrëveshja hyn në fuqi pas një muaji

Shkruar nga Pamfleti
Patentat shqiptare do të njihen edhe në Arabinë Saudite,

Patentat shqiptare do të njihen edhe në Arabinë Saudite, marrëveshja hyn në fuqi pas një muaji

Ministria e Jashtme njofton se janë përmbyllur procedurat e marrëveshjes për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite.

“Pas përfundimit të procedurave të brendshme ligjore fillimisht nga pala jonë, Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Arabisë Saudite ka njoftuar përfundimin e procedurave të brendshme ligjore edhe nga pala e tyre”, thuhet në komunikimin më të fundit për mediat të MEPJ.

Marrëveshja, e cila hyn në fuqi 30 ditë pas përfundimit të procedurave, do të lehtësojë lëvizjen reciproke të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve të dy vendeve tona, përmes përdorimit të patentave, si dhe konvertimin e tyre.

Shqipëria ka disa marrëveshje të nënshkruara për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit. Kërkesa e vazhdueshme e qytetarëve shqiptarë është kryesisht për vendet e Bashkimit Evropian pasi kërkojnë të pajisjen me patentën ndërkombëtare në mënyrë që të udhëtojnë pa u penalizuar drejt shteteve europiane.

Lista e shteteve që njohin patentat shqiptare:

Belgjika: Shtetasit shqiptarë në Belgjikë, për një periudhë më pak se 3 muaj, mund të përdorin lejen shqiptare për drejtim automjeti. Në rast qëndrimi më gjatë në Belgjikë se periudha në fjalë, atëherë shtetasit shqiptarë duhet të bëjnë konvertimin e lejes së drejtimit shqiptare në leje drejtimi belge, sipas procedurave që ndiqen në komunat përkatëse.

Kroacia: Shtetasit shqiptarë në Kroaci mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015 e tutje.

Maqedonia e Veriut: Shtetasit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2013 e tutje.

Serbia: Shtetasit shqiptarë në Serbi mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015 e tutje.

Mali i Zi: Shtetasit shqiptarë në Mal të Zi mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015 e tutje.

Kosovë: Shtetasit shqiptarë në Kosovë mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2012 e tutje. Pas përfundimit të afatit, marrëveshja është rinovuar dhe ka hyrë fuqi në maj 2019.

Itali: Prej 12 korrikut në Itali njihen patentat shqiptare dhe e njëjta gjë do të ndodh edhe këtu me patentat italiane, vendim ky që i përfshin të gjitha lejet e drejtimit.

Gjermania: Prej 1 qershorit, edhe në Gjermani njihen patentat shqiptare.

Aktualitet Arabisë Saudite patenta Shqipëria