Politike18 Shkurt 2019, 14:20

Shkruar nga Pamfleti

Nga "koka" e bandave, te "koka" e trafikut të drogës dhe prostitucionit! Djali i Spartak Brahos i vetëofrohet PS-së, do zëvendësojë Vangjush Dakon

Deputeti socialist, Spartak Braho, ka konfirmuar lajmin se djali i tij, Arbri, do t’i vetëofrohet Partisë Socialiste për të kandiduar për Bashkinë e Durrësit, duke zëvendësuar Vangjush Dakon, të cilin Rama nuk do ta rikandidojë, për shkak të lidhjeve të tij me bandat kriminale.

Duke folur për zgjedhjet vendore në qarkun e Durrësit, ku ai bën dhe jetën politike partiake, Braho nuk e ka fshehur dëshirën e djalit të tij për të kandiduar për kryetar të Bashkisë në këtë qytet. Në një intervistë për “GSH”, Spaho ka theksuar se kjo dëshirë vjen për shkak të kontributit që djali i tij, Arbër Braho, ka dhënë si nënkryetar i kësaj bashkie prej 5 vitesh.

“Është vetëm një dëshirë e tij në mbështetje dhe si një kandidaturë që mendon t’i ofrohet Partisë Socialiste meqenëse ka 5 vjet si nënkryetar i Bashkisë së Durrësit”, ka deklaruar deputeti i PS.

Ndërkohë, vlen të theksojmë nga Bashkia e Durrësit po shkon nga “shiu në breshër”. Kjo për faktin se Rama po largon Dakon për lidhjet e tij me bandat e Durrësit, por edhe djemtë e Spartak Brahos janë të njollosur në këtë drejtim.

“Pamfleti” ka raportuar edhe më parë se djemtë e Brahos kanë qënë gjithnjë në qendër të goditjes së Sali Berishës dhe opozitës, ku lidershipi demokrat pretendon se për çdo sasi droge që lëviz nga porti i Durrësit kanë pjesën e tyre vëllezërit Braho. Madje Berisha u faturon dhe trafikun e makinave dhe femrave djemve të Spartak Brahos, që gjithsesi gjithçka ka mbetur në kuadrin e akuzave politike, dhe asnjëherë të verifikuara.

Nëse do të bëhet Arbër Braho kandidat i PS për kryetar bashkie në Durrës, atëherë do të jetë një “tabelë qitjeje” për Berishën, opozitën, por dhe për median, pasi këto akuza nuk janë artikuluar vetëm tani, por ka mbi 15 vite që janë lëshuar në drejtim të tyre.

Dhe hyrja e tyre në një garë të tillë, do të “trashëgojë” bashkinë e Durrësit nga një i akuzuar si “mafia e betonit” te një i akuzuar tjetër për trafik droge dhe prostitucioni.

Politike arber braho bashkia e durresit Spartak Braho Vangjush Dako zgjedhjet lokale