Politike24 Qershor 2022, 10:19

PD kërkon heqjen e imunitetit për Olta Xhaçkën, Këshilli i Mandateve vendos sot “fatin” e ministres

Shkruar nga Pamfleti
PD kërkon heqjen e imunitetit për Olta Xhaçkën,

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka

Ditën e sotme do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve ku në orën 10:30 është parashikuar të  shqyrtohet mocioni i 1/10 i deputetëve përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për të diskutuar për heqjen e mandatit të ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.
Mbledhja u kërkua nga opozita, pas akuzave se bashkëshorti i Xhaçkës ka përfituar si investitor strategjik tokë në bregdet.
Mocioni u depozitua në Kuvend në 20 qershor dhe deputetët e PD-së kanë kërkuar ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit për ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Në mocion sqarohet se kompania e krijuar menjëherë pas miratimit të ligjit për investimet strategjike AG. TÇ shpk në pronësi të bashkëshortit të ministres dhe deputetes  Olta Xhacka, ka përfituar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli disa katësh me 5 yje në një sipërfaqe zhvillimi prej 10,592 m² dhe me vlerë rreth 5,5 milion euro, në Gjilekë, Bashkia Himar.

Shoqëria në pronësi të bashkëshortit të ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka ka përfituar masën mbështetëse të lejimit të përdorimit të bregut para hotelit për një periudhë 30 vjeçare, si dhe përfiton nga incentiva e reduktimit të TVSH-së.

Ndërkohë ditën e djeshme në Kuvend, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka tha se nuk ishte konflik interesi dhe se nuk kishte shkelur asnjë ligj, edhe pse kompania në pronësi të bashkëshortit të saj, Artan Gaçi si dhe ajo në pronësi të partneres amerikane të vëllait të saj përfituan statusin e investitorit strategjik si dhe të drejtën e përdorimit të bregut të detit për 30 vjet.

Politike #OltaXhakça Heqja e mandatit PD