Bota 3 Gusht 2022, 09:59

Pelosi vizitë për herë të parë brenda 25 vitesh në "Tajvanin e lirë", Kina "shfryn" zemërimin me stërvitje ushtarake rreth ishullit

Shkruar nga Pamfleti
Pelosi vizitë për herë të parë brenda 25 vitesh në

Pelosi përshëndet shoqërinë e lirë të Tajvanit, ndërsa Kina "shfryn" zemërimin përmes stërvitjeve ushtarake rreth ishullit

Kina dënoi me furi vizitën e parë të nivelit më të lartë të SHBA-së në Tajvan në 25 vjet, pasi Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, përshëndeti ishullin e vetëqeverisur si “një nga shoqëritë më të lira në botë” gjatë një fjalimi të mbajtur ditën e sotme në parlamentin në Taipei

Zemërimin për praninë e Pelosit në ishull, Kina e demonstroi duke zhvilluar një aktivitet ushtarak në ujërat përreth Tajvanit, si dhe duke thirrur ambasadorin e SHBA në Pekin që ta vendoste në dijeni për pezullimin e disa importeve bujqësore nga Taipei.

Pelosi mbërriti në Taipei të martën vonë në një udhëtim të paparalajmëruar, por të ndjekur nga afër, duke thënë se kjo tregon përkushtimin e palëkundur të SHBA-së ndaj demokracisë së Tajvanit. Në fjalimin e mbajtur përballë ligjvënësve të Tajvanit në Parlament, Pelosi vlerësoi Presidentin Tsai Ing-wen, të cilin Pekini e akuzon se po shtyn vijën e kuqe për pavarësi formale nga Kina.

Ne ju falënderojmë për udhëheqjen tuaj. Ne duam që bota ta njohë këtë”, tha Pelosi, ndërsa bëri thirrje për rritjen e bashkëpunimit ndërparlamentar. Pelosi shtoi se legjislacioni i ri amerikan që synon forcimin e industrisë amerikane të çipave për të konkurruar me Kinën “ofron mundësi më të mëdha për bashkëpunimin ekonomik SHBA-Tajvan”.

“Tani më shumë se kurrë, solidariteti i Amerikës me Tajvanin është vendimtar“, i tha Pelosi Tsai-t, duke shtuar se “vendosmëria e Amerikës për të ruajtur demokracinë në Tajvan dhe në pjesën tjetër të botës mbetet e hekurt”.

Sipas axhendës, Pelosi do të takohet gjithashtu edhe me aktivistët e të drejtave të njeriut më vonë gjatë ditës. Kryetari i fundit i Dhomës që shkoi në Tajvan ishte Newt Gingrich në vitin 1997. Megjithatë, vizita e Pelosit vjen në mes të përkeqësimit të ndjeshëm të marrëdhënieve amerikano-kineze, ndërsa Kina është shfaqur si një forcë shumë më e fuqishme ekonomike, ushtarake dhe gjeopolitike gjatë çerek shekullit të kaluar.

Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe kurrë nuk ka hequr dorë nga përdorimi i forcës për ta vënë nën kontrollin e saj. SHBA-të paralajmëruan Kinën që të mos përdorte vizitën si pretekst për veprime ushtarake kundër Tajvanit, raporton Euroactiv.

Më herët të mërkurën, departamenti i doganave të Kinës njoftoi një pezullim të importeve të agrumeve, të një lloji ngjale me vija të bardha dhe skumbri të ngrirë (lloji peshku) nga Tajvani, ndërsa Ministria e Tregtisë pezulloi eksportin e rërës natyrore në Tajvan.

Si kritike e vjetër e Kinës, veçanërisht për të drejtat e njeriut, Pelosi ishte caktuar të takohej më vonë të mërkurën me një ish-aktivist të Tiananman-it, një librashitës Hong Kongu që ishte arrestuar nga Kina dhe një aktivist tajvanez të liruar së fundi nga Kina, si persona të njohur më nga afër me këtë çështje.

Stërvitje ushtarake

Menjëherë pas mbërritjes së Pelosit, ushtria e Kinës njoftoi stërvitje të përbashkëta ajrore dhe detare pranë Tajvanit, si dhe testime të raketave konvencionale në detin lindor të ishullit. Agjencia shtetërore kineze e lajmeve, Xinhua, njoftoi se testimet me hapje zjarri në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe stërvitje të tjera rreth Tajvanit do të vijojnë nga enjtja deri të dielën.

Ministria e Jashtme e Kinës tha se vizita e Pelosit dëmton seriozisht paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit, si dhe “ka një ndikim të rëndë në themelin politik të marrëdhënieve Kinë-SHBA, duke cenuar seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës”. Para mbërritjes së Pelosit në Tajvan, avionët luftarakë kinezë gumëzhinin në vijën që ndan ngushticën e Tajvanit nga Kina. Ushtria kineze tha se ishte në gatishmëri të lartë dhe do të nisë “operacione ushtarake të qëllimshme me një pikësynim të caktuar” në përgjigje të vizitës së Pelosit.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby deklaroi se SHBA-të “nuk do të frikësohen” nga kërcënimet ose retorika luftarake e Kinës, pasi nuk ka asnjë arsye që vizita e Pelosit të përshpejtojë një krizë ose konflikt.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim Tajvanin, të mbrojmë një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur, si dhe të kërkojmë të ruajmë komunikimin me Pekinin”, tha Kirby gjatë një konference në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara “nuk do të angazhohen në sulme të konkrete”.

Kirby tha se Kina mund të “shtrëngoi ekonomikisht” Tajvanin, dhe ndikimi që kjo do të ketë në marrëdhëniet amerikano-kineze do të varet nga veprimet e Pekinit në ditët dhe javët e ardhshme.

SHBA-të nuk kanë marrëdhënie diplomatike zyrtare me Tajvanin, por janë të detyruara nga ligji amerikan t’i ofrojnë asaj mjetet për t’u mbrojtur. Kina i sheh vizitat e zyrtarëve amerikanë në Tajvan si një sinjal inkurajues për kampin pro-pavarësisë në ishull. Tajvani hedh poshtë pretendimet e Kinës për sovranitet, duke thënë se vetëm populli tajvanez mund të vendosë për të ardhmen e ishullit.

Kabineti i Tajvanit tha sot se ushtria ka rritur nivelin e vigjilencës. Ministria e mbrojtjes e ishullit njoftoi se 21 avionë kinezë hynë në zonën ajrore tajvaneze të martën dhe se Kina po përpiqej të kërcënonte portet dhe qytetet kryesore me stërvitje në ujërat përreth.

Të ashtuquajturat zona të stërvitjes po bien brenda kanaleve më të ngarkuara ndërkombëtare në rajonin Indo-Paqësor”- njoftoi një zyrtar i lartë i sigurisë së Tajvanit, duke shtuar se: “Ne mund të shohim ambicien e Kinës: të bëjë ujërat jo-ndërkombëtare të ngushticës së Tajvanit, si dhe ta bëjë të gjithë zonën në perëndim të zinxhirit të parë ishullor në paqësorin perëndimor sferën e ndikimit të saj.”

Sekretari kryesor i kabinetit të Japonisë, Hirokazu Matsuno, u shpreh për mediet se qeveria japoneze i ka përcjellë Kinës shqetësimet për operacionet ushtarake dhe përsëriti se Japonia shpreson që çështjet mbi ngushticën e Tajvanit të zgjidhen përmes dialogut./ Përshtati në shqip: Pamfleti

Bota KIna Lufte SHBA stërvitje ushtarake Tajvani