Jepini Ajolës, çfarë i takon Ajolës; dhe Pëllumbit çfarë i takon Pëllumbit!
Procesi i “Vettingut” në Shqipëri, ka hyrë në fazën përfundimtare të tij, pasi verifikimet po shtrihen në brezin e shkallës së parë të prokurorëve dhe gjyqtarëve të Shqipërisë.
Një ndër emrat e rradhës që ka hyrë tashmë në Vetting është Ajola Ymeri (Prençi), e cila ka një karrierë të gjatë në sistemin e akuzës shqiptare, pasi ka shërbyer në tre prokurori të ndryshme. Ajola Ymeri (Prençi), momentalisht vijon të ushtrojë profesionin si prokurore, pranë akuzës së Shkodrës.
Ndërsa ditën e martë pritet vendimi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, rezulton se e vetmja njollë në biografinë e prokurores Ajola Ymeri, është një dënim i bashkëshortit të saj, ish-prokurorit të Pukës, Pëllumb Prençi. Ky prokuror u arrestua dhe dënua nga gjykata.
Ai e mbylli ciklin dhe padiskutim që tashmë mori dhe dënimin. Por siç duket koha sot e kërkon që me “me drunë e thatë, të digjet dhe i njomi…”.
Nëse anëtarët e Komisionit, vërtetë janë të pavarur, atëherë duhet patjetër të marrin vendimin e konfirmimit në detyrë të Ajola Ymerit, duke u bazuar në punën personale të saj dhe pasurinë e saj.
Të mos me njollën e zezë të bashkëshortit, për të cilin tashmë ka folur gjykata. KPK-ja duhet të japë një vendim për prokuroren e Shkodrës, dhe ky vendim duhet të bazohet vetëm tek meritat e saj të punës, integritetit dhe pastërtisë së figurës.
Nuk mundet që një pjesëtar i familjes të marrë përsipër barrën e gjykimit, për fajin e një anëtari tjetër të familjes, qoftë ky burri, djali apo vajza. Se nëse do të ishte kështu, dhe të merej për bazë kjo metodologji gjykimi, atëherë duhet që një vrasësi që nuk e kap dot policia, duhet ti arrestohet babai, gruaja apo nëna, dhe le të gjykohen këta për krimin e bërë nga pjesëtari i familjes.
Çdo person mban përgjegjësi për veprimet e veta. Nëse këto veprime janë të paligjshme atëherë përgjegjësia penale, administrative apo qoftë dhe morale i bie pikërisht individët dhe jo të gjithë pjesëtarëve të familjes.
E njëjta situatë duhet të ndodhë edhe me prokuroren Ajola Ymeri, të cilën “Vettingu” duhet ta gjykojë mbi bazën e punës së Ajolës dhe jo mbi bazën e punës së burrit.
Se po të jetë kështu, i bie që anëtaria e KPA-së, Natasha Mulaj, ka njërin vëlla të dënuar për vrasje dhe tjetrin pjesëmarës në grup kriminal dhe mashtrim. Ndërsa vëllain e tretë, të dënuar për organizim të lojërave të fatit.
Ornela Naqellari, kryetarja e gjykatës së Lezhës, ka të motrën të arrestuar nga SPAK, Edlira Naqellari, për 18 milion euro në tendehrin e uniformave të Policisë së Shtetit.
Po kështu, Margarita Buhali, gjyqtarja e apelit ka ish-bashkëshortin të dënuar për korrupsion. Dhe të ngjithë këto emra vazhdojnë të jenë në sistemin e drejtësisë.
Po kështu, prokurori i Sarandës, Sali Hasa, që vijon të jetë në burg për akuzën e korrupsionit, është baxhanak i Sokol Sadushit, dhe sipas llogjikës së këtyre tipave të “Vettingut”, i bie që dhe Sadushi, të lerë detyrën dhe të dali në diell.
Jepini Ajolës, çfarë i takon Ajolës; dhe Pëllumbit çfarë I takon Pëllumbit!/Pamfleti