Aktualitet27 Korrik 2022, 18:33

Për avokatët e dëshpëruar të Ilir Metës si “bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit”

Shkruar nga Pamfleti
Për avokatët e dëshpëruar të Ilir Metës si

Ilir Meta është betuar tre herë mbi Kushtetutë, një herë si kryeministër, një herë si Kryetar Kuvendi dhe një herë si President, duke gënjyer shqiptarët. Mendoni sikur ta kishte bërë këtë Presidenti i Gjermanisë se çfarë i kishte bërë sot opinioni publik. Kurse këtu tek ne thonë: Nuk e ka tek formula e betimit që s’duhet të jesh bashkëpunëtorë sigurimi.  

Shkruan Mezo Baze

Të gjithë avokatët e dëshpëruar të Ilir Metës, po përpiqen ta relativizojnë të vërteten e hidhur të dosjes së tij, duke përdorur dy argumente qesharake. Argumenti i parë është pse u zbulua pas 30 vjetësh dhe argumenti i dytë është, kjo bëhet që të ndihmojnë Edi Ramën të rrijë në pushtet.

Sipas tyre fakti që Ilir Meta ka përdorur pushtetin dhe ka fshehur dosjen e tij për 30 vjet, duke zhdukur dosjen kryesore nga arkivat, ia quajnë meritë në vend që t’ia quajnë krim. Kurse faktin që ai është zbuluar falë këmbënguljes së Autoritetit që verifikoi të dhënat që i kanë shkuar në formë denoncimesh, e quajnë krim dhe jo meritë.

Për të gjithë këta avokatë që duan të relativizojnë të vërtetën, mund të hetojnë jetën politike të Ilir Metës dhe raportet e tij me SHISH dhe Autoritetin e Dosjeve për të kuptuar sa i terrorizuar ka qenë nga kjo histori.

Fill pas ngjarjes së Poliçanit, në Shtator 1992, kur Ilir Metës ju hoq imuniteti në Kuvend dhe u çua për ndjekje penale, ndodhi një kthesë e beftë pasi Bashkim Gazidedja u konsultua me  Sali Berishën. Befas ai u la i lirë dhe u bë luajal me pushtetin e Sali Berishës. Siç e kam përshkruar gjatë dhe me detaje në librin tim “Viti 97”, SHIK-u Gazidedes u kthye në një zyrë shtypi të Ilir Metës në zhvillimet e brendshme të Partisë Socialiste deri në vitin 1997. Oficerët e SHIK regjistronin takimet e njerëzve të Fatos Nanos dhe i zbardhnin për llogari të Ilir Metës e deri tek shërbime financiare dhe diplomatike për të.

Komisioni Mezini i kontrollit të dosjeve që në fakt ishte një institucion gjysmë qesharak, pasi funksiononte vetëm me porosi për persona të veçante, shpallte spiunë në Partinë Socialiste ata që rekomandonte Ilir Meta tek Sali Berisha dhe natyrisht përdorte klauzolën e ligjit që thoshte “vendimi është marrë mbi ato materiale që janë gjetur”. Me këtë klauzolë, Komisioni ishte në rregull, nëse një spiun nuk e shpallte spiun, se thoshte nuk e gjeta dosjen.

Pas përplasjes së egër të Ilir Metës me Sali Berishën në vitin 2000, kur Berisha u shoqërua në komisariat kam pasur një bisedë interesante të. Duke qenë se kam qenë dëshmitar se si Berisha e përdorte Ilir Metën në periudhën 92-97, e pyeta se si mund ta bënte ai këtë poshtërim të tij.

-Është vënë në provë nga Sigurimi,- më tha. Ti e di që ai ka dosje. (Dhe këtë e bënte fakt të kryer) Ata kanë dyshuar që ne e kemi përdorur dhe po e vënë në provë, që t’ia falin apo jo. Është rob i Pobratit. Ai ja ka dosjen.

Ishte një dialog, që nuk e besoja shumë për shkak të stereotipit që ai përdorte për gjithë armiqtë e vet të cilët ishin ose bashkëpunëtorë sigurimi ose me probleme morale.

Por në fakt Berisha e besonte vërtet që atë e kishte vënë në provë Sigurimi i Shtetit kundër tij. Dhe e argumentonte me Komisionin Bezhani që ja kishte fshehur dosjen, pasi e dinte që tek Komisioni Mezini kishte ndërhyrë vetë.

Komisioni Bezhani ja përtëriti të pastër certifikatën, dhe Ilir Meta ja shpërbleu duke ja mbajtur djalin gjithë jetën afër. Po afër mbante dhe çdo kryetar SHIK që emërohej derisa u rikthye në pushtet me Edi Ramën më 2013.

Kur u bë ligji i ri dosjeve, kur ishte ministër Erion Veliaj, Meta e pranoi me kusht që të amendonte një pikë të tij, duke kërkuar që kush ka marrë dëshmi nga Komisioni Mezini-Bezhani të mos verifikohet më. Ka bërë amendim vetëm për vete të vet.

Sot kjo është e qartë pse e ka bërë. Kjo është arsyeja përse Autoriteti ka kërkuar në Kuvend të shfuqizohet ky amendament dhe t’i hapet rruga plotësimit të Kartelës së Ilir Metës si bashkëpunëtorë Sigurimi.

Të çuditurit se si u fsheh ky njeri 30 vjet, aftësinë e një zyrtari të lartë për të fshehur një krim, e quajnë vlerë, ndërsa aftësinë e një institucioni për të zbuluar këtë fshehje krimi e quajnë krim. Është e patolerueshme të konsiderosh meritë fshehjen e një krimi dhe përdorimin e kësaj fshehje për karrierë politike dhe nga ana tjetër të relativizosh vlerën e zbulimit të këtij krimi duke u përpjekur për ta zhvlerësuar atë.

Akoma më banale bëhet situata kur për të shpëlarë Ilir Metën numërojnë “krimet” e Edi Ramës akuzat “për korrupsion apo tradhti kombëtare”.

Kjo është dhe më e neveritshme, pasi kërkojnë të injorojnë fuqinë morale të një krimi. Po të jetë kështu hajde t’i harrojmë krimet e Enver Hoxhës duke i vënë në balancë me të mirat sociale, pasi se ai ka bërë dhe hidrocentrale, sistem arsimor të mirë, spitale, ferma, fabrika uzina dhe s’kemi pse e akuzojmë pse ka pushkatuar nja 6 mijë vetë, e ka burgosur e internuar nja 300 mijë të tjerë. Nëse Liria është çështje ekonomike, dhe çështje mirëqenieje, atëherë s’kemi pse flasim për parime dhe ideale njerëzore për lirinë, por flasim për tregtarë të zotë që na bien më shumë miell, mish dhe verë e raki. Kështu është kur një parti plaçkash e shndërron në Parti të Lirisë.

Fashizmi ka 75 vjet që ka rënë dhe bota akoma arreston nazistë të fshehur dhe askush nuk thotë pse i arrestuan kaq vonë dhe akoma më pak t’i vërë në dyshim. Ish-Presidenti i Austrisë Kurt Waldheim e fshehu biografinë naziste për 50 vjet dhe arriti të bëhet edhe Sekretar i përgjithshëm i OKB, por askush nuk e relativizoi të vërtetën kur ajo u provua.

Nga ana tjetër, Ilir Meta është betuar tre herë mbi Kushtetutë, një herë si kryeministër, një herë si Kryetar Kuvendi dhe një herë si President, duke gënjyer shqiptarët. Mendoni sikur ta kishte bërë këtë Presidenti i Gjermanisë se çfarë i kishte bërë sot opinioni publik. Kurse këtu tek ne thonë: Nuk e ka tek formula e betimit që s’duhet të jesh bashkëpunëtorë sigurimi.

Betimi është një akt moral që ti je i ndershëm dhe nuk i fsheh gjë popullit tënd. Ky ja ka fshehur tre herë dhe tani fshihet pas akronimeve të shokëve të klasës, atyre, që 30 vjet më parë u rrinte përballë, dhe fshihte aparaturat e përgjimit në trup.

Ndaj është më mirë që nëse duan ta mbrojnë Ilir Metën të bëjnë si Sali Berisha, që i bie shkurt dhe thotë ky është falsifikim i Edi Ramës dhe mbaron punë. Është rrugë me e thjeshtë, se nuk futet në spiralen e zbulimit të së vërtetës, të cilën e di se e ka përdorur 30 vjet për llogari të vet. Thjesht tani është i mërzitur pasi i është hequr nga duart një mekanizëm shantazhi mbi Ilir Metën. Ai e ka vërtet problem, pasi duke ditur të vërteten e hidhur të Ilir Metës e ka sunduar dhe keqpërdorur Ilir Metën. Ai ka arsye të dëshpërohet. Kurse këta të dëshpëruarit e tjerë, që duan të na mbushin mendjen, se me një spiun sigurimi dhe një sekretar partie, do marrin pushtetin në emër të antikomunizimit, ngjajnë më shumë “agjentë” të Edi Ramës, për të mbretëruar në pushtet, se sa misionarë të opozitës.

Forum #dosja e sigurimit te shtetit Ilir Meta Mero Baze