Aktualitet24 Maj 2018, 00:48

Për çfarë do protestohet realisht?

Shkruar nga Pamfleti
Për çfarë do protestohet realisht?

Për çfarë do protestohet realisht?

Opozita ka njoftuar një protestë madhështore për datën 26 maj. Arsye e saj është skandali i Babales me vëllanë e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Nëse dëgjon Monika Kryemadhin dhe Lulzim Bashën, qeveria i ka ditët të numëruara. Nëse ja ke ngenë edhe më shumë opozitës, mund të të kapë veshi ndonjë deklaratë si ajo e Edmond Spahos që thotë se “PS-ja ka njerëz të ndershëm, nuk k apse mban Xhafën ministër”.

Në Shqipëri ka shumë arsye për të protestuar dhe këtë të drejtë e kanë edhe milionerët e PD-së dhe LSI-së. Por ngjan pak e sforcuar që të nxjerrësh njerëzit në rrugë me përgjimin e Babales që nuk e merr njeri përsipër. Edhe ashtu siç u servir, audiopërgjimi na rrëfen se Babalja që takon disa trafikantë nga Tragjasi në Vlorë, nuk mbylli dot asnjë punë. As me Gonin, e as me ndonjë tjetër.

Situata kur opozita kacavirret pas një përgjjimi të tillë është dramatike. Tregon degradimin e saj dhe faktin se PD-ja e Bashës po kërkon një gjysmë fitoreje, një kockë ku të mbahet.

Aq më shumë e rëndon pozitën e saj dhe të LSI-së fakti se të dyja këto parti patën përvojnë e përgjimit në kohën kur qeverisnin së bashku. Dhe madje me një përgjim autentik, ku flitet me shifra dhe bëhen pazare. Dhe edhe atëherë PD-ja me LSI-në iu përmbajtën idesë se përgjimi është montazh.

Sigurisht kjo nuk heq asnjë të drejtë për protestë sidomos në kushtet kur ka shumë arsye për të protestuar. Vetëm se vështirë të mendohet se do të ketë ndonjë rezultat, kur vetë organizatorët nuk e dinë se çfarë do kërkojnë publikisht. Pasi privatisht e kemi të qartë se janë shumë precizë.

Aktualitet