Anti-Mafia31 Janar 2023, 11:26

Për Gërdecin duhet të thirren edhe Saliu e Delijorgji; SHBA pranoi që Diverol të pyetet ‘Online’ nga SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Për Gërdecin duhet të thirren edhe Saliu e Delijorgji; SHBA

Për Gërdecin duhet të thirren edhe Saliu e Delijorgji; SHBA pranoi që Diverol të pyetet ‘Online’ nga SPAK

Ortaku amerikan Efraim Diveroli do përsërisë faktet e deklaruara para Drejtësinë Amerikane, ndër to bisedat telefonike me Shkëlzen Berishën, takimin me të në Tiranë e Durrës, brenda kryeministrisë e Ministrisë së Mbrojtjes bashkë Saliun, Fatmir Mediun e Mihal Delijorgjin, që janë grupi organizator e përfitues i biznesit në Gërdec

Kur para 1 viti, u rihap hetimi ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu për aferën dhe masakrën e Gërdecit, u mendua se SPAK ishte instruktuar nga mafia politike, për të përsëritur lojën e mbylljes së çështjes dhe mos ndëshkimin e autorëve.

Por dërgimi i Fatmir Mediut në gjyq, marrja në pyetje e ish-Ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi dhe bosit të fabrikës së Gërdecit, Shkëlzen Berisha, dëshmon se kjo dosje e mbyllur para 12 vitesh me urdhër të Sali Berisha, është rihapur e do çohet deri në fund me këmbënguljen e SHBA.

Nga “zinxhiri” i bandës që sajoi dhe realizoi aferën 300 milionë USD në Gërdec, me pasojë 26 viktima, kanë mbetur pa u pyetur ish-kryeministri Sali Berisha dhe administratori i kompanisë së municioneve “Albademil- Gërdec”.

Në muajin maj 2021, ish-drejtuesi i SPAK, Arben Kraja miratoi lënien e Sali Berishës dhe Mihal Delijorgjit jashtë procesit të ri-hetimit, por ka qenë drejtuesi i ri Altin Dumani, që në zbatim të Kodit të Procedurës Penale, i ka kërkuar prokurorit Klodian Braho, të merren në pyetje gjithë personat që kanë lidhje me këtë krim.

Të shohim, nëse do thirren Berisha e Delijorgji në SPAK, dy personat kyç të aferës e tragjedisë së Gërdecit: njeri ish-kryeministër që firmosi vendimet për ngritjen e fabrikës së demontimit dhe tjetri si biznesmen që e administroi deri ditën e shpërthimit me 26 viktima.

Të dy janë në Shqipëri: Sali Berisha deputet, kryetar i Foltores e ndërtues kullash me dhëndrin; por dhe Mihal Delijorgji, ndërtues blloqesh me pallate e kulla në qendër të Tiranës, mbi troje pronë shteti të dhuruar nga kryeministri Edi Rama.

Edhe amerikani Efraim Diveroli, ortaku i Shkëlzen Berishës e Mihal Delijorgjit në Gërdec, do merret në pyetje, mbasi para një jave, për të ka ardhur Letër-Porosia e miratimit nga Gjykata e Floridës, që SPAK ta marrë në video-pyetje online.

Sipas informacionit, Efraim Diveroli do përsërisë faktet e deklaruara para Drejtësinë Amerikane, ndër to bisedat telefonike me Shkëlzen Berishën, takimin me të në Tiranë e Durrës, brenda kryeministrisë e Ministrisë së Mbrojtjes bashkë me Saliun, Fatmir Mediun e Mihal Delijorgjin, që janë grupi organizator e përfitues i biznesit në Gërdec.

FAKT/ Për të fshehur të vërtetën e shpëtuar nga drejtësia, babë e bir Sali e Shkëlzen Berisha kanë bërë gjithë përpjekjet me financime, kërcënime, joshje prokurorësh e gjyqtarësh dhe vrasje denoncuesish si Kosta Trebicka./Pamfleti

Anti-Mafia #Për Gërdecin duhet të thirren edhe Saliu e Delijorgji #SHBA pranoi që Diverol të pyetet ‘Online’ nga SPAK