Bota12 Gusht 2022, 10:31

Perëndimi zotohet të ndajë 1.5 miliard euro ndihmë shtesë për Ukrainën

Shkruar nga Pamfleti
Perëndimi zotohet të ndajë 1.5 miliard euro ndihmë

Perëndimi zotohet të ndajë 1.5 miliard euro ndihmë shtesë për Ukrainën

Shtetet perëndimore janë zotuar t’i ofrojnë më shumë se 1.5 miliard euro ndihmë shtesë, si dhe të rrisin kapacitetet luftarake të Ukrainës teksa përballet me agresionin rus. Kjo shumë është premtuar nga ministrat e Mbrojtjes së 26 shteteve, të pranishëm gjatë një konference të mbajtur në Kopenhagë.

Të gjithë përfaqësuesit e shteteve që kanë ardhur në Kopenhagë, kanë ardhur me synimin e mbështetjes së Ukrainës”- ka thënë ministri i Mbrojtjes së Danimarkës, Morten Bodskov.

Paratë do të përdoren për të blerë armë, raketa dhe municion, përfshirë rritjen e prodhimit të armëve për Ukrainën. Ndërsa, një pjesë do të ndahet edhe për trajnim të ushtarëve ukrainas.

Ministrat e Mbrojtjes të Polonisë, Sllovakisë dhe Republikës Çeke, kanë shprehur gatishmëri për të zgjeruar prodhimin e sistemeve të artilerisë, municionit dhe pajisjeve tjera ushtarake në Ukrainë, u shpreh ministri danez. Britania është zotuar të ndajë 300 milionë euro shtesë, përfshirë sistemet raketore me precizitet të lartë që mund të godasin shënjestrat në largësi prej 80 kilometrash.

Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka thënë se donacionet janë dëshmi për të kundërtën e asaj që mund të ketë menduar presidenti rus, Vladimir Putin – se qeveritë perëndimore do të lodheshin nga konflikti.

Sipas Wallace, pushtimi rus në Ukrainë ka “nisur të dështojë në shumë aspekte”. Ukraina i ka bërë thirrje të vazhdueshme Perëndimit që t’i dërgojë më shumë armë, përfshirë artilerinë me rreze të gjatë.

Moska, në anën tjetër, ka akuzuar shtetet perëndimore se po përfshihen në konflikt duke i dërguar Ukrainës më shumë armë. Vlen të theksohet se, presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Ndëraq, Perëndimi i është përgjigjur Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Bota #lufta në Ukrainë BE Britani e Madhe ndihma SHBA sulmet ruse