Ekonomi 1 Korrik 2022, 11:38

Përfundon afati, 8900 biznese të pafiskalizuara do të kalojnë në status pasiv!

Shkruar nga Pamfleti

Përfundon afati, 8900 biznese të pafiskalizuara do të kalojnë në status pasiv!

Mbyllet afati për fiskalizimin.

Duke filluar nga dita e sotme, bizneset e vogla të cilat nuk janë të fiskalizuara do të gjobiten. Edhe pse 30 qershori ishte caktuar si afati i fundit, rreth 9 mijë biznese nuk janë fiskalizuar, kështu që Administrata Tatimore ka të drejtën të ndëshkojë me gjobë të gjithë tatimpaguesit që janë në shkelje.

Sipas Ministrisë së Financave ende 8900 biznese ende të pafiskalizuara, që prej muajsh nuk raportojnë xhiro dhe do kalojnë shumë shpejt në status pasiv.

Vlen të theksohet se, fiskalizimi nisi të zbatohet në janar të vitit të shkuar për kompanitë që presin fatura për institucionet shtetërore. Zbatimi i tij u zgjerua në shtator edhe për bizneset që shesin për konsumatorët, mirëpo qeveria shtyu vendosjen e gjobave deri më 1 korrik të këtij viti.

Problematikë, veç bizneseve të pafiskalizuara, mbeten 15.000 biznese të tjera që kanë marrë certifikata për fiskalizim por nuk janë të pajisura me mjetet për të prerë faturat.

Dy ditë më parë Drejtoria e Tatimeve e paraqiti si sukses fiskalizimin e bizneseve, duke theksuar se nga 1 janari 2021 deri më 30 qershor 2022, fiskalizimi është kryer në masën 100% për biznesin e madh dhe të vogël me TVSH.

“Në total, referuar të njëjtës periudhë, janë lëshuar 407,353,527 fatura të fiskalizuara. Ndërsa pritet fiskalizimi i rreth 10% tatimpaguesve të biznesit të vogël pa TVSH, duke përjashtuar këtu tatimpaguesit, që nuk ushtrojnë aktivitet, e megjithatë nuk mund të kalojnë në status pasiv, për shkak të detyrimeve të papaguara, etj”- thuhej në njoftimin e Drejtorisë së Tatimeve.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Ekonomi fiskalizimi