Aktualitet23 Tetor 2022, 19:20

Përfundon protesta e Berishës për Lear Kurtin, protestuesit: Nuk dorëzohemi, do të mblidhemi sërish nesër

Shkruar nga Pamfleti

Përfundon protesta për Lear Kurtin, protestuesit paralajmërojnë grumbullime të tjera

Ka përfunduar pas 70 minutash protesta e dytë për vdekjen në mënyrë misterioze të 32-vjeçarit Lear Kurti, kësaj here e thirrur nga Sali Berisha. Me brohoritjet “Qeveri e krimit”, “Polici e krimit, “Drejtësi për Learin”, qytetarë dhe militantë mbështetës të Foltores kërkuan dorëheqjen e drejtuesit të AMP, Ardi Veliut dhe Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.

Që në nisje të protestës janë regjistruar disa incidente. Protestues të shumtë hodhën domate ndaj godinës së Ministrisë së Brendshme dhe tentuan të thyejnë kordonin policor.

Ata hodhën miell ndaj efektivëve dhe nuk ndalën thirrjet në kor: “Kjo është kokaina juaj”, si kundërpërgjigje ndaj AMP që mohon dhunën policore ndaj 32-vjeçarit, ndërsa ekspertiza paraprake tregon se shkak i vdekjes mund të ketë qenë overdoza pasi i riu gëlltiti 2 qese kokainë gjatë ndjekjes nga policia. Në nderim të Lear Kurtit janë ndezur sërish qirinj, si dhe është mbajtur një minutë heshtje para Kryeministrisë.

Në përfundim të tubimit të mbështetur nga Berisha dhe eksponentë të opozitës, protestuesit kanë paralajmëruar se do të dalin sërish në shesh dhe nuk dorëzohen derisa të zbardhet e vërteta e vdekjes së 32-vjeçarit.

“Nuk dorëzohemi, protesta e radhës do të jetë nesër, ora lajmërohet në rrjetet sociale”-tha një prej qytetarëve në mbyllje të protestës. 


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Aktualitet Berisha lear kurti Protestë