Pas përjashtimit përgjithmon të Sali Berishës nga Partia Demokratike, Blutë kanë nxituar të mbyllin hesapet edhe me Ilir Metën.
Përmes një deklarate zyrtare, PD iu është përgjigjur ashpër akuzave të Metës se “Përgjegjësia ekskluzive për dështimet e opozitës i takon Lulzim Bashës!”, duke theksuar hapur që “koha kur PD përdorej si mburojë nga Ilir Meta ka përfunduar në 9 Shtator”. Për Bashën përjashtimi i Berishës nga PD, shënon edhe fundin e raporteve me Ilir Metën, por jo vetëm.
Megjithatë, deklaratën e PD-së mund ta lexojmë ndryshe si fundin e koalicionit të çalë mes Partisë Demokratike dhe LSI-së.
Basha i tregon vijën e kuqe ish-partnerit të koalicionit, duke njoftuar shkëputjen përfundimisht të marrëdhnieve me të në momentin kur në mesazh thekson shprehimisht që “Ilir Meta dhe njerëzit e tij duhet të qëndrojnë larg selisë së Partisë Demokratike.” Sipas Bashës, ndërhyrja e Presidentit të Republikës në PD, sikurse ajo e Edi Ramës, tregon se trekëndëshin Berisha-Rama-Meta e bashkon një hall i madh.
“Ilir Meta dhe njerëzit e tij duhet të qëndrojnë larg selisë së Partisë Demokratike. Koha kur PD përdorej si mburojë nga Ilir Meta ka përfunduar në 9 Shtator, kur PD u distancua nga Sali Berisha.
Ndërhyrja e Presidentit të Republikës, njëlloj si Edi Rama, në një debat të brendshëm në Partinë Demokratike, tregon atë që kemi thënë që në nisje, që trekëndëshin Berisha-Rama-Meta e bashkon një hall i madh, por që nuk është as halli i Partisë Demokratike dhe as halli i qytetarëve shqiptarë.
Pastrimi i llumit të tranzicionit është mision për çdo demokrat, për çdo qytetar shqiptar dhe është e vetmja rrugë që Shqipëria të ecë përpara drejt të ardhmes europiane.“- thuhet në reagimin e Partisë Demokratike.