Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është shprehur se ka pranuar kërkesa të reja nga bashkësia ndërkombëtare në lidhje me Kosovën. Këto kërkesa, ai tha se ia ka sjellë emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, që pas tri ditësh qëndrim në Kosovë, të mërkurën pasdite u nis për në Beograd.
Vuçiçi e lidhi ardhjen e kërkesave të reja me vendimet e së mërkurës nga Qeveria e Kosovës për reciprocitet me Serbinë për letërnjoftim dhe për mundësinë e fundit të dhënë serbëve që kanë vetura me targa të Serbisë, por në emër të qyteteve të Kosovës.
Presidenti serb, duke iu referuar aksionit të Kroacisë më 1995, kur çliroi një pjesë të territorit që mbahej nga forcat serbe tha se gjithë kjo është përgatitje për një “Stuhi tjetër”, si ajo e Kroacisë ku Serbia pretendon se më këtë aksion u vranë qindra serbë e u dëbuan mbi 200 mijë të tjerë.
“Ata udhëheqësit e Kosovës morën dy vendime në institucionet e tyre të përkohshme. Njëri ka të bëjë me ndalimin e hyrjes me karta të identitetit në provincë dhe tjetri është një vendim me qëllimin e vetëm për të dëbuar serbët nga veriu, për të krijuar një stuhi të re. Për vite kanë bërë fushatë për t’i detyruar serbët të pranojnë targat e tyre”, tha ai
Ai shtoi se Kosova, dha një afat, Prishtina planifikon sulm të përgjithshëm më 1 tetor në veri. Dhe populli duhet ta dijë këtë.
Për këto vendime, presidenti serb fajëson Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë. “Këto vende i mbështesin”, tha ai.
Ndërsa për SHBA-në, ai u shpreh se është më pak arrogantja në mesin e vendeve të Quintit, ku bëjnë pjesë edhe Britania, Gjermania, Franca e Italia.
Presidenti serb gjatë fjalimit që mbajti në një televizion në Serbi për këtë temë, lëshoj edhe kërcënime. “Përgjigjja jonë do të jetë e matur, por vdekjeprurëse dhe e vërtetë”, përfundoi ai.