Aktualitet22 Maj 2019, 16:52

Përkthyesi i ATSH pas arratisjes: Mehmetin e vrau Enveri, trembej nga influenca e tij

Shkruar nga Pamfleti
Përkthyesi i ATSH pas arratisjes: Mehmetin e vrau Enveri, trembej nga

Përkthyesi i ATSH pas arratisjes: Mehmetin e vrau Enveri, trembej nga influenca e tij

“Mehmet Shehu nuk u vetëflijua, por e vrau Enveri”, denoncimi për një likuidim të mistershëm të kryeministrit nga kreu i regjimit Hoxha përbën një nga momentet e bujshme të dëshmive të përkthyesit të arratisur në shtator 87, për shtypin perëndimor. Bulka, duke përshkruar me detaje debatet e rivalitetet në kreun e lidershipit komunist, sjell për median e huaj versionin e tij për ngjarjet dramatike në Tiranën e fillimviteve ’80.

Një terror mafioz mbizotëron sot në Shqipëri, për hir të strukturave të vendosura nga Enver Hoxha në periudhën e pushtetit gjakatar dyzetvjeçar, artikulon përkthyesi i arratisur, duke shtuar se, për t’i shpëtuar një regjimi të tillë, të rinjtë përballojnë dhe vdekjen në kufi ose përpjekje të pamundshme me not në ujërat e Jonit, ose ndërmarrjet e dëshpëruara si ajo e vëllezërve Popaj, të cilët prej muajsh ndodhen në Ambasadën italiane në Tiranë, të rrethuar nga policia shqiptare. Më poshtë po zbardhim pjesët që aparaçikët e KQ kanë koleksionuar nga deklaratat e Bulkës në shtypin e huaj për situatën në Shqipëri.

Gazeta “La Stampa”, e datës 12 nëntor 1987, boton një shkrim të korrespondentit të saj në Athinë, Minas Minassian, me titull: “Kështu e vrau Hoxha Shehun”, me nëntitull: “Ishte bërë jashtë mode- “Policia mban të rrethuar Ambasadën e Italisë që mban mysafirë vëllezërit Popaj”! dhe mbititull: “I arratisuri Ilir Bulka bën akuza të reja ndaj ish-udhëheqësit shqiptar”.

Mehmet Shehu u likuidua me iniciativën e Enver Hoxhës, që pati filluar të trembej nga influenca e tij në rritje. Diktatori shqiptar nuk i donte kokat e rënda dhe kryeministri i tij, edhe pse i rritur në shkollën e padronit, me kalimin e kohës demonstronte një inteligjence jashtë mode. Teza është e Ilir Bulkës, 38 vjeç, përkthyes i Komitetit Olimpik Shqiptar, i cili më shumë se një muaj me parë, ndërsa shoqëronte skuadrën e Shkodrës në një takim të Kupës së Kupave në Maltë, kërkoi strehim politik, duke kaluar transit nga Athina.

“Hoxha ishte i shqetësuar nga ngritja e Shehut”, tha dje, në vijim të intervistës dhënë shtypit, ish-funksionari shqiptar, i cili precizoi se i përkiste një familjeje të “udhëheqjes” komuniste. Shehu konsiderohej tashmë, edhe në arenën ndërkombëtare, si pasues i Hoxhës në udhëheqjen e vendit. Mbi fundin e papritur të kryeministrit, për të cilin thuhet sikur vrau veten më 1981, nuk u dhanë hollësi të veçanta, por pak më vonë filloi të qarkullonte një histori në ambientet e partisë në Tiranë.

“Kur Hoxha vendosi ta hiqte qafe, tregon Bulka, me parë mendoi që ta komprometonte në sytë e anëtareve të tjerë të Byrosë Politike shqiptare, duke e detyruar djalin e Shehut të fejohej me vajzën e një profesori të Universitetit të Tiranës, i klasifikuar si kundërshtar i regjimit. Mbas kësaj u mblodh një plenum i Partisë, në vijim të të cilit besnikët e Hoxhës bënë një sërë kritikash të mëdha mbi drejtimin e politikës ekonomike të qeverisë”. Mehmet Shehu bëri autokritikë, por kjo i dukej e pamjaftueshme diktatorit.

“Duhet të bësh një tjetër, akoma më të thellë”, duket se i ka thënë kryeministrit Shehu, i cili pasi bëri një tjetër, iu drejtua Hoxhës duke i kërkuar nëse ishte i kënaqur. Përgjigjes negative të Hoxhës, Shehu duhet t’i jetë përgjigjur i irrituar: “Shumë mirë, shiko, nesër do të bëj një më të mirë”. Hoxha, duke e njohur rritjen simpatike në publik të bashkëbiseduesit të tij, u frikësua shumë. “Merre me gjak të ftohtë, i tha atëherë, me një ton pajtues, hajde të pimë një kafe e të diskutojmë së bashku”.

Asnjë në Tiranë nuk e di se çfarë ka ndodhur në atë dhomë, nëse ishte vetë Hoxha apo ndonjë pasues i tij që qëlloi mbi kryeministrin, por u bë e ditur se Shehun e vranë dy plumba, gjë e pamundur në një vetëvrasje. “Është pikërisht kjo atmosferë e terrorit mafioz që mbizotëron deri më sot në vend, për hir të strukturave të vendosura nga Enver Hoxha në periudhën e pushtetit absolut e gjakatar dyzetvjeçar, thotë i arratisuri Bulka”, duke shtuar se, për t’i shpëtuar një regjimi të tillë, të rinjtë shqiptarë përballojnë dhe vdekjen në kufi ose përpjekje të pamundshme me not në ujërat e detit Jon, ose ndërmarrjet e dëshpëruara si ajo e vëllezërve Popaj, të cilët prej muajsh të tërë ndodhen në Ambasadën italiane në Tiranë, të rrethuar ditë e natë nga policia shqiptare.

Rreth Popajve, Bulka tha se autoritetet shqiptare kanë kërkuar disa herë dorëzimin e refugjatëve, por Ambasada italiane gjithnjë ka refuzuar. “La Republica”, e datës 12 nëntor 1987, boton shkrimin “Hoxha vret bashkëpunëtorët e vet”, duke iu referuar dëshmive të Ilir Bulkës, që pretendonte se kishte qenë bashkëpunëtor i Hoxhës dhe përkthyes i materialeve që i servireshin atij nga shtypi perëndimor.

“Corriere della Sera”, e datës 12 nëntor 1987, në një shkrim me dëshmitë e Bulkës të titulluar “Vesi i keq i Hoxhës”, bashkë me pohimet e përkthyesit të arratisur në Greqi për orientimin seksual të Hoxhës, denoncon mekanizmin vrastar të tij ndaj njerëzve të pafajshëm dhe bashkëpunëtorëve. Shtypi grek Gazeta “Vradhini”, më 10 nëntor 1987, boton shkrimin me titull: “Braktisa Shqipërinë për të marrë frymë lirisht…”, tha përkthyesi i Enver Hoxhës.

“Erdha në Greqi për të marrë frymë lirisht. Po. Isha përkthyesi personal i Enver Hoxhës dhe di hollësira të rëndësishme për jetën dhe pasionin e tij! Kam jetuar tronditjen që krijohej në mekanizmin e Partisë kur ndodhnin arratisje jashtë shtetit. Shtypen të drejtat e njeriut, ka internime, burgosje, rënie të ekonomisë, censurë, devijime morale. Katalogu është i gjatë!”

Plan 10-vjeçar

Kisha 10 vjet që planifikoja të ikja, por nuk gjeja rastin. Thashë të pres sa të vdesë Hoxha e të shoh se mos ndryshon situata, por e pashë se nuk ekziston as edhe një fije lirie. Ekonomia është në gjendje shumë të keqe. Në treg mungojnë të gjitha. Në janar – vjet – pashë se nuk ka asnjë shpresë dhe mora vendimin që të arratisem. Dhe plotëson: “Punoja në Agjencinë e Lajmeve, ATSH. Përktheja telegramet e agjencive të huaja dhe tekste që i dedikoheshin personalisht Enver Hoxhës.

Gazeta “Akropolis”, e datës 14 nëntor 1987, boton shkrimin “Të arratisurit shqiptarë, zotërinjtë – A. Hoxha, L. Bërsheni dhe Ilir Bulka: “Jemi të lirë për herë të parë në jetën tonë. Është sikur të kemi dalë nga burgu. Preferojmë më mirë të vrasim veten sesa të kthehemi mbrapsht. Ju lutemi të na jepni strehim politik në Greqi”.

Histori Përkthyesi i ATSH pas arratijes: Mehmetin e vrau Enveri trembej nga influenca e tij