Ditën e djeshme është zbuluar një projekt i një studio arkitekturore indiane për të ndërtuar një hotel luksoz dhe dy kulla gjigante në vendin ku është sot selia e Partisë Demokratike, për të cilën po përleshen për jetë a vdekje Sali Berisha me Lulzim Bashën.
Lajmi nuk është se u zbulua projekti, pasi plani për kulla ka ekzistuar që prej 10 vitesh dhe vendimi është firmosur nga Sali Berisha, por lajmi është se pse po grinden sot për kullat e planifikuara me vlerë mbi 100 milionë euro. Fillimisht pjesë e pazarit të madh kanë qenë Sali Berisha dhe Lulzim Basha.
Më pas, në pazar u fut Edi Rama, pasi fitoi pushtetin dhe mori disa vendime për bllokimin e projektit. Më pas, pjesë e pazarit u bë Erion Veliaj, i cili do të firmoste lejen e ndërtimit, sigurisht nën urdhrat e Ramës. Si përfundim, pjesë e pazarit të madh u bënë Basha, Berisha përmes dhëndrit të tij, Rama dhe Veliaj.
Vitin e kaluar Sali Berisha mori goditjen fatale politike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk është sekret se tashmë po zbatohet një plan për të nxjerrë nga politika Sali Berishën dhe Ilir Metën, të identifikuar si binomi i krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, dhe që udhëheqin frontin kundër SHBA, reformës në Drejtësi dhe normalitetit në Shqipëri. Me goditjet e njëpasnjëshme që mori Berisha, deri në përjashtimin e tij përgjithmonë nga PD-ja, Rama, Basha dhe Veliaj kanë vendosur ta përjashtojnë nga pazari për ndarjen e kullave që do ndërtohen në vend të selisë së PD-së.
Kjo u pa edhe në 8 janar 2022, kur Basha me grupin e tij brenda dhe Edi Rama me policinë jashtë, mbrojtën selinë e PD-së nga grupi i Berishës, i cili dështoi për ta pushtuar me forcë. Sali Berisha, pak para se të rrëzohej nga pushteti në vitin 2013, firmoi me urgjencë vendimet për ndërtimin e kullave tek selia e PD-së. Para se të firmoste vendimin, Berisha rrëmbeu SHUP-in, duke e kthyer në seli të PD-së. Në prapaskenë dhëndri i tij, i cili ka sot 19 kulla mbi ish-klubin Partizani që u rrëmbye nga Berisha me dhunë dhe korrupsion, ishte përgatitur për të kapur hotelin dhe kullat. Sot Sali Berisha dhe dhëndri i tij janë tërbuar nga fakti që e shohin veten jashtë loje dhe që kullat po u ikin nga duart.
Kjo është edhe arsyeja se pse Berisha, dhëndri i tij dhe grupi i tyre, suleshin me tërbim për të pushtuar selinë se PD-së në 8 janar 2022. Tashmë selinë e ka Lulzim Basha, ndërsa lejet për ndërtimin janë në dorën e Edi Ramës, i cili komandon Veliajn. Ka dyshime të forta se Rama, Basha dhe Veliaj kanë arritur një pazar për ndarjen e kullave, të cilat do t’i kamuflojnë në emrin e njerëzve të tyre të besuar.
Berisha dhe dhëndri i tij kanë dalë jashtë loje./Pamfleti