Aktualitet25 Tetor 2018, 13:16

Përmbarimi, 307 ankesa nga qytetarët dhe institucionet për procedurat e ekzekutimit

Shkruar nga Pamfleti
Përmbarimi, 307 ankesa nga qytetarët dhe institucionet për

Përmbarimi, 307 ankesa nga qytetarët dhe institucionet për procedurat e ekzekutimit

Shifrat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit  tregojnë se janë të paktën 307 ankesa të qytetarëve dhe institucioneve të ndryshme të lidhura me procedurat e ndjekura nga përmbaruesit. Nga këto janë 201 ankesa që i  janë paraqitur vetë Drejtorisë së Përgjithshme ndërsa 106 të tjera i janë dërguar si referim nga portal për bashkëqeverisjen.

Në pjesën më të madhe ankesat kanë marrë përgjigje dhe ka rezultuar se procedurat e ndjekura nga ana e punonjësve kanë qenë konform kuadrit rregullativ ndërkohë që nuk kanë bërë përjashtim edhe rastet kur punonjës të ndryshëm të përmbarimit janë gjendur në shkelje.

Në pjesën e parë të vitit mungesa e zbatimit korrekt të kuadrit ligjor dhe procedurave për përmbarimin ka rezultuar në disa paralajmërime për largim nga puna apo vërejtje më shkrim.

Kështu të paktën një përmbarues ka marrë vërejtje me shkrim nga zyra e Kavajës, një tjetër nga zyra e përmbarimit në Durrës, një paralajmërim për shkarkim në Lushnjë si dhe një shkarkim në zyrën e Vlorës.

Në listën e institucioneve që janë ankuar për mënyrën sesi janë kryer procedurat e ekzekutimit të titujve nga ana e përmbarimit bëjnë pjesë edhe Banka e Shqipërisë, Dega Doganore Rinas, Unioni Shqiptar, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Vetëm pak ditë më parë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë u bë prezantimi i 19 përmbaruesve të rinj ku theksi u vu tek minimizimi i korrupsionit si dhe rritja e eficencës në ekzekutimin e titujve në mënyrë që qytetarët shqiptarë apo institucionet që kanë fituar të drejtën në gjykatë të mos hasin në zvarritje të gjata.

Në të gjithë vendin funksionojnë 22 zyra rajonale nën varësinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit të cilat kanë për detyrë ekzekutimin e detyrueshëm të titujve ekzekutiv, sipas rregullave proceduriale të përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile./Monitor

Aktualitet përmbaruesit qytetarët dhe institucionet