Këto miliarda i kanë marrë 6 oligarkë, që janë edhe shkatërrues të lumenjve me rekord Pëllumb Salillari e Ndue Kola; të cilët, me biznesin e tyre zhavore e rërë, kanë rrëzuar e dëmtuar 5 ura dhe kanë përpirë 110 ha tokë, ndërsa përzgjedhës të tyre si gjoja fitues të tenderëve, kanë qenë vetë babloku, ministrat e deputetët sekserë
Edhe shiu i kësaj fundjave, ka rikthyer përmbytjet e shumta në zonën Shkodër-Lezhë, duke shtuar 1330 hekatarë tokë të futur nën ujë; kryesisht në Obot, Mali i Jushit, Vukatanë, fshati Ganjollë e Bërdicë dhe afro 350 ha në Zadrimë e Balldren të Lezhës dhe Skuraj-Fan përgjatë lumit Mat.
Në këto zona, për shkak të shkatërrimit të lumenjve nga eskavatorët e firmave “Salillari” dhe firmës “A.N.K” të Ndue Kolës, po zhduket toka e bukës dhe janë dëmtuar 5 ura; ndaj nuk duhet akuzuar shiu që bie nga qielli, por duhen hetuar tenderët e qeverisë, për të zbuluar shkakun e vërtetë, se përse përmbyten zonat e qarqeve Vlorë, Durrës, Lezhë e Shkodër etj.
Hetimi do zbulojë, se zonat përmbyten edhe me pak rreshje shiu, ngaqë shefat e qeverisë, janë “mbytur” në korrupsion me fondet publike dhe donacionet e BE, të akorduara për ndërtimin e argjinaturave e digave të lumenjve me rreziqe vërshimi mbi shtretër.
Nëse në përmbytjet e vitit 2010, qeveria hapi digat e HEC-ve që e çuan nivelin e ujit 1 metër lartësi brenda Shkodrës e Lezhës; përmbytja e këtij viti, ka shkak mos ndërtimin dhe mos rikonstruksionin e argjinaturave.
Këtë e thonë qartazi, 7 dosje penale të lëna “stok” në prokuroritë Tiranë, Vlorë, Shkodër, Lezhë e Krujë, lidhur me raportet e KLSH për tenderët dhe projektet e investimeve në strukturën lumore, të menaxhuara nga 3 ministri: Infrastruktura, Bujqësia e Mjedisi.
Sipas hetimeve të “harruara”, rezulton se në 5 vitet e fundit, nga qeveria janë bërë 78 tendera me vlerë totale 59 milionë Euro, vetëm për argjinatura e diga parandaluese pranë zonave të banuara; në gjatësinë e 12 lumenjve të mëdhenj, që kanë “histori” vërshimi e risk përmbytjeje.
Këto tendera, janë bërë për investime parandaluese në disa zona rreziku të lumenjeve Buna, Drin, Kir, Mat, Fan; por dhe në lumenjtë Vjosë, Shkumbin, Seman, Devoll, Ishëm e Osum.
Në dosjet e qeverisë, këto investime figurojnë të kryera 100% e me cilësi të lartë; madje figurojnë dhe akt-kontrolle e raporte të marrjes së tyre në dorëzim nga agjencia e administrimit të ujërave, ku Drejtor i Përgjithshëm është George (Ladi) Balla, vëllai i Taulant Ballës.
Mirëpo shiu që i përmbyti 100%, zonat ku kalojnë këta lumenj, tregoi qartazi, se janë bërë vetëm tenderët e janë hedhur disa kamionë me zhavorr të marrë po nga lumenjtë; dhe siç tha Babloku, fajin nuk e kanë oligarkët, por… shiu e lumenjtë.
Sipas pasqyrave të investimeve dhe regjistrave të Thesarit të Shtetit, rezulton se qeveria, në vitin 2016 ka akorduar e ka bërë 8 milionë Euro tendera; në vitin 2017 ka akorduar 11 milionë Euro; në vitin 2018 ka akorduar 9 milionë Euro; në vitin 2019 ka akorduar 14 milionë Euro.
Ndërsa në muajt maj-nëntor 2020, për 10 lumenjtë kryesorë në qarqet Shkodër, Lezhë, Vlorë, Fier, Durrës, Tiranë, Elbasan e Berat, janë bërë 17 milionë Euro tendera anti-përmbytje.
Por 6 oligarkët fitues, Ulaj, Gjikuria, Fusha, Kola, Gjoka e Salillari, nuk kanë filluar akoma, punën për thellimin e shtretërve që “zbutin” prurjet; nuk kanë filluar ndërtimin dhe rikontruksionin e argjinaturave e digave parandaluese në zonat pranë tokave buzë lumenjve.
E vetmja gjë që po vazhdojnë të bëjnë, është nxjerrja e inerteve zhavore e rërë nga shtretërit e lumenjve; denoncuar ditën e dielë me me zë e figurë dhe nga TOP-i i “Rilindjes”, krimi që po bën firma “Salillari” në shtratin e lumit Mat./Pamfleti