Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka ka reaguar për përplasjen e djeshme mes kryeministrit Edi Rama me një gazetar, gjatë një konference për shtyp në prani të ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.
Përmes një postimi në Facebook, Açka ka shprehur solidaritet për gazetarët, ndërsa shton se fjala “Riedukim” që u përdor nga Rama për gazetarin, sipas saj është marrë borxh nga diktatura.
“E kush e mendonte se njeriu që dikur është rrahur për fjalën e lirë, të kthehej në harbutin e mediave kur të ishte në pushtet.
Në solidariteit me gazetarët!
Si mund të kalojë nëpër duart e pushtetit të tij për t’u votuar Statusi i gazetarit? Do ta kthejë në “Urdhri i gazetarit”, ose më keq akoma, në “Spaçi i gazetarit”.
Fjala “Riedukim” në demokraci është marrë borxh nga diktatura.
Në fakt na duhet të hapim me ligj një shkollë, atë riedukimit të Kryeministrave të Demokraturës.”, shkruan Açka.