Mbahet sot Mbledhja e komisionit Hetimor të zgjedhjeve të 25 prillit.
Kryetari i Komisionit Hetimor të PD, Enkelejd Alibeaj cilësoi se ky takim është vazhdim i ezaurimit të mbledhjes së parë, për të diskutuar për shqyrtimin e miratimit të rregullores si edhe zgjedhja e sekretarit.
Partia Demokratike ka miratuar ngritjen e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, duke marrë miratimin e 38 deputetëve të tyre. Akoma pa nisur zgjidhja e “hetimeve” kanë nisur bojkotet e mbledhjeve mes palëve.
Ditën e mërkurë ishte thirrur mbledhja e radhës nga kryetari i Komisionit të PD, Enkelejd Alibeaj, por maxhoranca nuk u paraqit duke cilësuar se ishin në terren duke takuar qytetarët. Sipas tij, mungesa e anëtarëve të maxhorancës është një strategji për të penguar veprimtarinë e hetimit të masakrës së 25 prillit.
“Në bazë të ligjit, mbledhjet thirren nga kryetari i Komisionit. Unë, në konsultim me zotin Toni Gogu, i kam komunikuar që mbledhja e sotme do të ishte në datën 20 tetor, ora 15:00. Anëtarët e opozitës në sallën e byrosë u përballën para një befasie, një bojkot total i të gjithë anëtarëve të maxhorancës.
Nuk kishte asnjë arsye. Arsyeja ishte se meqë jemi në javën e gjelbër të Kuvendit, sot po e marrim pushim dhe caktojmë një datë tjetër. Jemi këtu si detyrim i Kuvendit për një afat 3-mujor të Komisionit. Sot është dita e 6- të, nesër bëhet e 7-a dhe është e qartë se duket që është një strategji e qartë për të penguar veprimtarinë e hetimit të masakrës zgjedhore të 25 prillit. Ata të cilët janë nën akuzë jo vetëm prej nesh, është kjo pjesë e maxhorancës.
Maxhoranca është e treguar, e akuzuar, e dokumentuar si hajdute e procesit zgjedhor të 25 prillit dhe është afër mendsh se do të bëjnë gjithçka për të zvarritur veprimtarinë e komisionit hetimor. Nuk më çudit kjo sjellje, nuk e prisja që do të ndodhte në mbledhjen e parë”, ka cilësuar Alibeaj.
Pas kësaj mbledhjeje Kuvendi njoftoi se mbledhja e radhës e komisionit hetimor mbahej ditën e sotme (të premten) në orën 10:00. Por dje përfaqësuesit e PS-së shkuan në sallën ku zhvillohet mbledhja dhe hasën në të njëjtin bojkot.
Nënkryetari i komisionit hetimor të PS-së për 25 prillin, Toni Gogu, nga ambientet e selisë së Kuvendit iu përgjigj akuzave të opozitës për bojkotin e komisionit nga ana e maxhorancës. Gogu u shpreh se ai së bashku me deputetët e maxhorancës shkuan ditën e djeshme në ambientet ku zhvillohej mbledhja, por përfaqësuesit e Partisë Demokratike nuk ishin të pranishëm. Gogu e përdori daljen në media për t’i bërë një ftesë publike kryetarit të Komisionit, Enkelejd Alibeajt, për t’u takuar ditën e sotme ose të nesërme, me qëllim miratimin e kalendarit të punës së komisionit.
“Pika 7 e Rregullores ishte mbledhja e radhës. Në kundërshtim me procedurat, kryetari na e mohoi këtë të drejtë. Një nga anëtarët na etiketoi ‘gangsterë’. Propozuam që të mblidheshim sot, pasi ishte vonë dhe nuk mundet të takoheshim. Ne duhej të ishim nëpër zona. Ajo që morëm është se vijmë sot dhe nuk janë të pranishëm. Do të vijmë edhe nesër, pasi ne jemi të vendosur të hetojmë dhe mbrojmë integritetin e zgjedhjeve. Unë vijoj të bëj të njëjtën ftesë, i bëj thirrje zotit Alibeaj të mblidhemi një orë e më parë dhe të vijojmë të caktojmë kalendarin e punës. Nderin e zgjedhjeve ne mund ta mbrojmë vetëm duke hetuar së bashku në këtë komision”, u shpreh Gogu.