Politike24 Mars 2022, 19:00

Përplasjet në PD, Gjykata e Tiranës shqyrton nesër statutin e Berishës

Shkruar nga Pamfleti
Përplasjet në PD, Gjykata e Tiranës shqyrton nesër statutin

Gjykata e Tiranës  do të shqyrtojë nesër kërkesën e grupit të Berishës për të regjistruar statutin e miratuar në Kuvendin e thirrur prej tij më 11 Dhjetor.

Gjyqtari Agron Zhukri do ta shqyrtojë këtë kërkesë në orën 10.30 dhe ky mund të jetë një moment kyç për fatin e PD, pasi nëse gjykata njeh statutin e Berishës, do të zhbëhet statuti i Bashës dhe vendimet e marra në Kuvendin e mbledhur prej tij.

Kuvendi i thirrur nga Berisha, miratoi me ngritje dore ndryshimet në Statut, duke e bërë të pamundur verifikimin e votës së 4934 delegatëve të pranishëm. Ndryshimet në Statut përfshijnë gati një parti të re, duke zhbërë strukturat drejtuese që ishin, më shkarkim të nënkryetarëve, me logo dhe vulë të re të partisë.

Ndër ndryshimet më të rëndësishme, është neni që detyron kreun e Partisë që në rast se humb zgjedhjet e përgjithshme të largohet dhe në rast se humb zgjedhjet lokale të kalojë në votëbesim.

Në këtë statut, Berisha riktheu referendumin e anëtarëve për vendime të rëndësishme, pikë që e futi në fuqi vetëm një javë më pas, duke zhvilluar referendumin për shkarkimin e Lulzim Bashës.

Ndërkohë që disa ditë më parë gjykata regjistroi statutin e Bashës të korrikut 2021.

 

Politike #Berisha #Statuti #PD