Përplasjet skandaloze për garën e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit janë kthyer në temë kryesore diskutimi në kryeqendrën tonë “modeste”, por jo vetëm.
I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’, analisti Mentor Nazarko ka sjellë një panoramë të situatës, nga përplasjet deri te vendosja e eksplozivit në banesën e presidentit të FSHF-së, Armand Duka.
Sipas Nazarkos, futbolli është një biznes që po bëhet akoma edhe më i madh për shkak të sukseseve të kombëtares, dhe si një veprimtari që përfshin masat, i intereson politikës. Megjithatë, fakti që nuk ka garë, thotë analisti, e bën më agresive përplasjen.
‘Futbolli nuk është vetëm një biznes që po bëhet i madh për shkak të sukseseve të kombëtares, por është edhe një veprimtari që i intereson politikës. Po ashtu për shkak të mungesës së një reforme ligjore në formën pronësore te klubeve, kemi një rol të politikës që e ndërlidh me futbollin, nëpërmjet bashkive. Për shkak të sukseseve të Federatës ku ka meritë edhe zoti Duka, politika synon të ndikojë atje që të kontrollojë atë biznes, por dhe për ta shitur elektoralisht. Kryetari i Bashkisë është një palë e interesuar ligjërisht për procesin e zgjedhjeve në Federatë. Ndërkohë siç ndodh kudo në Shqipëri, dikush që kryeson një institucion që ka një mandat të gjatë apo të pavarur, sillen sikur ta kenë të tyre dhe blindohen në rolin drejtues duke mos lejuar garën. Fakt është që në atë Federatë nuk ka garë dhe kjo e bën më agresive përplasjen. Në gjykimin tim ndërhyrja e Veliaj do të ishte më e arsyeshme nëse do të ishte shumë kohë më parë, jo vetëm ai , por kush ka interes për zhvillimet brenda kësaj Federate. Sepse mënyra e përfshirjes, gjuha dhe mjetet e përdorura, pavarësisht se të justifikuar legalisht, e ndihmojnë zotin Duka të krijojë statusin e viktimës të kërcënuar nga politika’, tha Nazarko.
Për analistin, kryetari i bashkisë së Tiranës është palë e interesuar në procesin zgjedhor.
‘Gjithë kjo që po ndodh përfshirë dhe incidentin me vendosjen e eksplozivit e forcojnë ndërkombëtarisht pozitën e zotit Duka. Dikush që e ka vendosur ka menduar që t’i ndërlidhë ngjarjet. Nuk e di sa shpejt do të veprojë policia. Çdo pistë mund të jetë e arsyeshme, por nuk besoj që të jetë politika e përfshirë. Për shkak të autonomisë që ka futbolli, kjo autonomi është kthyer në pandëshkueshmëri. Por edhe politika duhet të kishte vepruar më herët, statusi i klubeve tona sportive është ende i paqartë. Po ashtu shpesh në krye të klubeve sportive janë afruar individë që kanë probleme me ligjin. Mungesa e traditës së garës, kush bëhet kryetar nuk lejon që deri sa të vdesë t’i marrin postin- kjo vlen për partitë dhe institucionet. Imorale këtu është se të gjithë qeveritë janë përpjekur ta kontrollojnë Federatën e Futbollit, por tani po vihet re se grupi i Berishës që çfarë nuk ka thënë ndaj Dukës- me apo pa të drejtë është rreshtuar në mbrojtje të tij. Tanimë nuk dihet çfarë ka ndodhur…Janë bërë aleatë, ndajnë diçka apo është një mbështetje e komoditetit të momentit? Kjo nuk dihet. Por shihet se Rama nuk është përfshirë në vetë të parë.’- tha Nazarko.