Aktualitet19 Maj 2018, 19:05

Përse askush nuk pranon të jetë përgjuesi i Xhafajt?

Shkruar nga Pamfleti
Përse askush nuk pranon të jetë përgjuesi i Xhafajt?

Përse askush nuk pranon të jetë përgjuesi i Xhafajt?

As Basha, as Salianji, as Alibeaj, as Veliu dhe as gazetari i PD, nuk pranojnë që kanë regjistruar, por të gjithë pranojnë se kanë një kasetë ku dëgjohet regjistrimi.

Shkruan Mero Baze

I vetmi detaj që bashkon historinë e stisur të çështjes Xhafaj, është se askush nga personazhet e filmit, nuk merr përsipër përgjimin. I pari që u distancua nga përgjimi ishte Lulzim Basha. Sapo Edi Rama deklaroi se ka siguruar një provë shkencore, se gjithçka është e montuar, ai nxorri menjëherë në ekran “Babalen”, për t’u distancuar nga historia dhe për t’ia lënë atij përgjegjësinë.

Pas kësaj, Veliu u thirr nga Prokuroria dhe dëshmoi për gjashtë orë rresht. Sipas asaj që ka thënë në shtyp pasi ka dalë nga Prokuroria, ai nuk merr përsipër përgjimin dhe deklaron se nuk e di, se kush e ka bërë.

Ndërkohë PD me nxitim tentoi të shpëtojë dhe regjisorët e tjerë të kasetës, deputetët e saj, që do paraqiten në Prokurori, duke nxjerrë në skenë emrin e një militanti të PD, që së fundmi është përfshirë si gazetar në disa emisione televizive dhe shërben në një portal të PD-së.

Nxjerrja në skenë e gazetarit u bë si një përpjekje për të manipuluar opinionin, duke theksuar se intervistën e Veliut në selinë e PD, e ka marrë gazetari, dhe jo Lulzim Basha.
Në fakt nuk kishte asnjë rëndësi, pasi ajo intervistë nuk kishte pyetje, por vetëm përgjigje. Dhe si intervistë nuk ka ndonjë kuriozitet për autorin, se intervistuesi aty nuk ka bërë ndonjë faj.

Por PD pak nga pak avancoi dhe i veshi gazetarit dhe përgjimin. Në një intervistë të tij për shtypin sot, gazetari i PD distancohet nga përgjimi, por pranon vetëm që ka marrë kasetën me bisedën Veliu-Xhafaj.
Pra, Veliu thotë nuk e kam regjistruar unë atë bisedë. Gazetari i PD thotë mua ma solli Veliu të gatshme, ndërkohë që Veliu thotë nuk e di kush e ka përgjuar dhe lë të kuptojë që e ka përgjuar gazetari.

Nëse prova shkencore hedh poshtë si jo origjinale regjistrimin, atëhere është e qartë se e gjithë loja është të mos marrë askush përsipër regjistrimin e një bisede që nuk ka ndodhur.
As Basha, as Salianji, as Alibeaj, as Veliu dhe as gazetari i PD, nuk pranojnë që kanë regjistruar, por të gjithë pranojnë se kanë një kasetë ku dëgjohet regjistrimi.

Kaq mjafton për të kuptuar jo vetëm seriozitetin e këtij filmi policesk, por përgjegjësinë penale, të cilës i tremben të gjithë ata që tentuan të mburren si përgjues, ndërsa tani sillen si përgjërues, që nuk e kanë bërë.

Forum Mero Baze Përse askush nuk pranon të jetë përgjuesi i Xhafajt?