
Përse Lulzim Basha po përgjon “Babalen”?
Nga Mero Baze
Më në fund Lulzim Basha po e merr seriozisht dosjen “Babale”. Pas kaq javësh heshtjeje, pas kaq shmangie nga përgjigjet publike rreth dosjes që i është hapur në Prokurori deputetit të tij, si sajues të një skenari kriminal, pas dëshmive të njeriut që ka inskenuar Agron Xhafajn dhe që i ka dhënë dëshmitë në Prokurori, pas telefonatave të regjistruara që shqetësonin Lulzim Bashën dhe disa drejtues të tjerë të PD, që duhet t’i jepnin lekët e premtuara “aktorit” që improvizoi kasetën, tani Lulzim Basha po tregon se paska qenë vigjilent gjatë gjithë kësaj kohe.
Paska qenë i informuar përditë nga Prokuroria çfarë po bëhet, çfarë ka thënë dëshmitari, a mund të arrestohet Salianji, a ka ardhur përgjigjia për ekspertizën e kasetës etj.
Dhe fiks është shqetësuar nga lajmi se Prokuroria po çon kasetën në një laborator të specializuar në Londër, për shkak të mungesës së kompetencës që ka laboratori italian për t’i dhënë përgjigje zyrtare në kohë Prokurorisë, një çështje proceduriale e cila është në duart e ekspertëve të huaj dhe shërbimeve partnere që po e mbikqyrin gjithë procesin.
Por ndërsa ata po e bëjnë këtë hapur, i vetmi që po përgjon këtë hetim gjithë makth qenka Lulzim Basha.
Sot me sa duket nuk e mbajti dot më. Frika se mos laboratari i Londrës kthen përgjigje shpejt dhe pastaj nis gjyqi ndaj tij, duket se e ka turbulluar.
Të njëjtën gjë është duke bërë për dosjen “Babale 2”, që lidhet me “Toyotat Yaris” . Dekonspirimi nga salla e Kuvendit e aksionit të policisë, fakti që paratë devijuan rrugë, pas deklaratës së tij, siç e pranon dhe vetë një prej shoferëve të trailerit, dhe mbi të gjitha fakti që pritësi i parave është njeri i afërt politikisht dhe personalisht i Lulzim Bashës, e kthen Lulzim Bashën në të pandehur, dhe pas disa ditësh duhet të trokasë në zyrën e prokurorit.
Edhe për këtë dosje, njësoj si për “Babalen 1”, nuk ka thënë asnjë fjalë. Nuk ka bërë asnjë deklaratë. U është shmangur të gjitha pyetjeve dhe nxjerr ndonjë idiot të këpusë broçkulla.
Por fakti që sot u zgjua nga “Babalja 1”, tregon se është po kaq vigjilent dhe për “Babalen 2”. Të paktën e ndjen frikën.
Nuk është pak po ta mendosh që është politikani që ka prodhuar më shumë ngjarje të rënda fallco në këtë vend dhe ka fshehur duke ju shmangur ngjarjeve më të rënda që ka prodhuar vetë, që nga vrasjet, deri tek milionat. Kjo do të thotë që e di çfarë ka bërë dhe përgjon çdo bëhet.