Editorial16 Shtator 2022, 19:12

Përse Sali Berisha po e masakron Lulzim Bashën për paratë ruse?!

Shkruar nga Pamfleti
Përse Sali Berisha po e masakron Lulzim Bashën për paratë

Përse Sali Berisha po e masakron Lulzim Bashën për paratë ruse?!

Publikimi i dosjes së influencës ruse në politikën shqiptare ka sjellë një sulm shumë të egër të Sali Berishës e Ilir Metës ndaj Lulzim Bashës.

Të dy, ndryshe ç’kanë bërë kur dolën faktet e lobimit me 500 mijë dollarë nga ana e PD-së, tashmë janë bërë më të ashpër se PS apo mbështetësit e saj.

Madje kanë arritur edhe në absurde të tilla, si ato që tha Monika te Fevziu, se Basha u ka futur të gjithëve ‘trutë e gomarit’, duke u mbushur mendjen të djegin mandatet… Sikur Luli të kishte sjellë nga Moska ndonjë nga ato pluhurat e Putinit dhe i ka nxjerrë nga fiqiri.

Çështja këtu nuk bëhet për të pastruar PD-në apo opozitën nga influencat ruse, të cilat si Berisha ashtu edhe Ilir Meta i kanë me shumicë. Por sepse Berisha kërkon të masakrojë Lulzim Bashën për ta bërë shembull, ngaqë ai vendosi përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i PD-së. E që de fakto ishte një përjashtim real, i cili sot po i kushton Berishës shumë, ngaqë nuk po arrin dot të ribëhet anëtar i grupit parlamentar.

Përveç faktit formal, Basha guxoi të vërë dorë mbi “babën” që cilësohet i paprekshëm si nga ai vetë ashtu edhe nga mbështetësit e tij. Basha krijoi një precedent se “kur e ndëshkoj unë ‘babain politik’, të tjerët nuk kanë përse të kenë komplekse për liderin historic”. Ndaj dhe doktori kërkon ta ndëshkojë atë për të ndalur sa më shumë rebelimin apo pakënaqësinë ndaj tij.

Në një farë mënyre ja ka arritur që të rikuperojë njerëz që njëherë u distancuan nga Berisha por më pas ndryshuan mendim. Natyrisht për motive të ndryshme, por thelbi është që ai të konsiderohet si qendra e rëndesës në Partinë Demokratike, siç ka qenë sot e 30 vjet.

Kështu: Grida Duma, Ervin Salianji, Xhelal Mziu, Zef Hila, por edhe të tjerë, e braktisën anijen e Lulzim Bashës dhe u bashkuan me plakun. Por ende këtë nuk e kanë bërë 28 deputetë, si edhe mjaft drejtues e aktivistë në degët e partisë në rrethe.

Kjo mënyrë që po përdor Sali Berisha natyrisht që është ‘boomerang’ dhe mund t’i kthehet në ‘karma’. Normalisht, ajo do të duhej të bënte ishte të bënte çmos për të bashkuar të gjitha grupet e copëzat e PD-së dhe opozitës, e jo të përplasej e të shkaktonte trauma të brendshme. Kjo në fakt është metoda e vetme që ai di të bëjë politikë, pasi Berisha kompromisin nuk e ka pasur kurrë si parim, siç duhet të jetë, por thjesh si një element të një pazari shkëmbimi, i cili ka ardhur pas një shantazhi traumatik dhe përçarës.

Me një fjalë, Berisha nuk ka ç’i bën më Lulzim Bashës, pasi ai i ka ikur nga vatha, thjesht kërkon të frikësojë ata që nuk i afrohen atij, ata që rrinë ende me pjesën e PD-së së Alibeajt, sidomos në bazë. Ai kërkon ta bëjë shpejt këtë gjë, të paktën deri kur të nisin të zyrtarizohen kandidaturat për kryebashkiakë, që të tregojë se vetëm ai mund të promovojë karrierat në PD. Kërkon ta bëjë shpejt, pasi nuk ka kohë, se siç e tha edhe kreu i SPAK, është pjesë e hetimeve në të paktën dy dosje të rënda penale./Pamfleti

Editorial #Përse Sali Berisha po e masakron Lulzim Bashën për paratë ruse?!