Aktualitet16 Tetor 2022, 11:14

Përse sondazhi bashkon opozitën

Shkruar nga Pamfleti
Përse sondazhi bashkon opozitën

Përse sondazhi bashkon opozitën

Ne jemi të ndryshëm në ide dhe fundja, kjo është demokracia. Gjërat që janë njësoj, puqen nga natyra vetë. Objektivi i opozitës, është që të kalojë ambiciet personale dhe të bashkohet në një kauzë të vetme, që në këtë rast, është beteja ndaj regjimit të Edi Ramës.

Shkruan Dashamir Shehi

Zgjedhjet janë afër. Shoh si domosdoshmëri për opozitën, që këto zgjedhje të dalë e unifikuar, me një kandidat të vetëm.

Së pari, duhet kuptuar që emëruesi i përbashkët i grupimit opozitar, është beteja për të mundur Edi Ramën. Kjo është thyesa e përbashkët ku duhet të ngjitet opozita. Kush është më i madhi apo më i forti, këtë e tregon proporcionali për këshillin bashkiak. Kryesorja këtu është që kandidati për kryetar bashkie, të jetë një i vetëm. Nëse në zgjedhje shkohet me më shumë se një kandidat, atëherë rrezikojmë fragmentarizim të votës.

Përse propozoj sondazhin:

Ne jemi të ndryshëm në ide dhe fundja, kjo është demokracia. Gjërat që janë njësoj, puqen nga natyra vetë. Objektivi i opozitës, është që të kalojë ambiciet personale dhe të bashkohet në një kauzë të vetme, që në këtë rast, është beteja ndaj regjimit të Edi Ramës.

Primaret, janë një proçes shumë i mirë por që mbeten brenda partisë. Për të fituar, duhet kaluar përtej bazës së partisë. Duhen përfshirë socialistët e moderuar, të cilët nuk pajtohen me regjimin e Ramës, njerëz nga bota e arsimit, shoqëria civile, të rinjtë të cilët janë të lodhur dhe të papërfaqësuar nga ky sistem pra, duhet krijuar metoda se si njerëzit të dalin masivisht për të votuar.

Avantazhi i opozitës është që të vendosë njerëz të rinj, që mbi të gjitha janë të ndershëm që nuk mbajnë mbi supe korrupsionin e kësaj qeverie. Sondazhi e jep këtë mundësi. Të gjithë forcat politike, propozojnë kandidatët e tyre dhe më pas këto kandidatë, të hyjnë në sitën e sondazhit.

Sondazhi tregon se kë do populli. Sot ka kompani botërore të cilat merren me këtë punë. Pozitivja këtu qëndron se kjo formulë e heq vendimmarrjen e partisë dhe ia delegon qytetarëve.

Kjo është votë përtej primareve të partisë, një mënyrë që paraqet dhe mendimin e elektoratit gri, i cili, është vendimtar për të fituar zgjedhjet. Kandidatët që zgjidhen nga populli, kanë mundësinë të afirmohen në debat publik dhe fare mirë, mund të shërbejnë si telajo e re e politikës që do udhëheqë aksionin opozitar, deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në këtë mënyrë, opozita, ka mundësinë për të riformatuar veten e saj, të krijojë një elitë të re politike, të formësojë ide të reja, përtej kryetarokracisë dhe të kthehet në një alternativë serioze për tu kthyer në pushtet.

Forum Dashamir Shehi opozita Sondazhi