Editorial28 Qershor 2022, 09:56

 Përse vjen DEA në Tiranë?

Shkruar nga Pamfleti
 Përse vjen DEA në Tiranë?

 Përse vjen DEA në Tiranë?

Operacioni i kokainës kërkon shuma marramendëse, të cilët nuk i kanë pasur asnjëherë narkotrafikantët e heroinës dhe kanabisit. Thuhet se ato para kanë ardhur nga arka e frikshme miliardëshe e korrupsionit shtetëror në Shqipëri.

Hapja e zyrës së Agjencisë amerikane kundër drogës në Shqipëri, po komentohet si një zhvillim i rëndësishëm për t’ju përgjigjur rritjes së aktivitetit të narkotrafikantëve shqiptarë.

Realisht është pjesërisht kështu… DEA, edhe pse nuk ka pasur zyrë në Tiranë, por vetëm në Sofje dhe Athinë, ka ndjekur me detaje aktivitetin e narkotrafikut të shqiptarëve. Madje disa operacione të rëndësishme të zhvilluara vitet e fundit kanë dorën aktive të DEA-s, që nga Met Kanani, apo arrestimi i disa supetrafikantëve të njohur e deri tek “Escobari i Ballkanit” Klemend Balili.

Në lidhje me rritjen e aktivitetit të blerjes së kokainës direkt nga Amerika e Jugut prej narkosve shqiptarë, ka qenë pikërisht DEA, e cila ka udhëhequr operacionin, duke futur tentakulat në grupet shqiptare.

Madje vrasja e parë që ndodhi në Ekuador, ajo e Ilir Hidrit, kishte gjurmë të pendimit dhe infiltrimit të amerikanëve. Aq e vërtetë është kjo sa Adriatik Llalla, asokohe kryeprokuror, i kërkoi ministrisë së Brendshme që të pyeste amerikanët nëse është e vërtetë që ai (Ilir Hidri) ishte bashkëpunëtor i DEA-s.

Një skandal i përmasave të mëdha që tregonte infiltrimin e fortë të narkotrafikut në kupolën e shtetit shqiptar.

Pra në të gjithë këtë operacion DEA ka qenë shumë aktive, edhe pse lëvizjet janë bërë nga Zyra e Athinës. Ajo zyrë ka pasur departamentin për Shqipërinë, së bashku me personelin e duhur njerëzor, logjistik e financiar që ka ngritur e menaxhuar rrjetin e tij.

Por ajo që e ka sjellë DEA-n në Tiranë, është pikërisht një aksiomë që duket se ka dalë nga hetimet e zhvilluara në Amerikë dhe në Europë, e ku mendohet se operacioni i madh i hyrjes së trafikantëve shqiptarë në biznesin e kokainës është bërë me paratë e korrupsionit të injektuara nga Tirana.

Narkotrafikantët shqiptarë të heroinës, nuk kanë pasur asnjë herë mundësi financiare që të blejnë kokainë nga narkosit e Kolumbisë, Brazilit apo Perusë.

Operacioni i kokainës kërkon shuma marramendëse, të cilët nuk i kanë pasur asnjëherë narkotrafikantët e heroinës dhe kanabisit. Thuhet se ato para kanë ardhur nga arka e frikshme miliardëshe e korrupsionit shtetëror në Shqipëri. E këtë duket se DEA e ka pikasur, ndaj po vjen në Tiranë të qepë letrat në mënyrën më të plotë e të pastër. Vjen se do të kemi zhvillime shumë të bujshme, në sfera të larta…/Pamfleti

Editorial #Përse vjen DEA në Tiranë?