Aktualitet 3 Shkurt 2023, 11:23

Pesë rrëfime që rrëzoi skandali McGonigal

Shkruar nga Pamfleti

Pesë rrëfime që rrëzoi skandali McGonigal

Në këtë fabul janë përmbledhur të tëra. Edhe paratë me origjinë të paditur të koncesioneve dhe PPP-ve, dhe bota e errët e “këshilltarëve informalë” që përdor kjo qeveri dhe guximi i çartur për të futur në kurth një funksionar të lartë të një vendi aleat edhe mbi të gjitha ideja fikse për asgjesimin e pluralizmit real politik

Shkruan Andi Bushati

Skandali McGonigal, përpos korruptimit të një zyrtari të lartë të FBI-së nga kryeministri i një vendi aleat të NATO-s, ka përmbysur edhe një sërë rrëfimesh që kanë dominuar për një kohë të gjatë debatin publik në Shqipëri. Në këtë kuptim, krahas zbërthimit të elementëve investigativë të dramës së një ish agjenti amerikan kundërzbulimi, hakmarrja e konkubinës të së cilit shkaktoi tërmet deri në Tiranë, ne duhet të merremi dhe me efektin që kjo ngjarje ka mbi rrëzimin e disa klisheve që janë ngulitur në kryet e shumëkujt prej nesh.

1- “Amerika nuk korruptohet”

Gjithkush e mban mend një replikë të famshme të Edi Ramës në emisionin “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit, ku kryeministri fliste me siguri për pamundësinë e korruptimit të administratës amerikane. Në fakt, pak muaj më pas këtij dialogu që është rikthyer si një nga videot më të para të rrjet, vetë kryeministri shqiptar priti agjentin e FBI-së, dyshohet se e pagoi atë me anë të këshilltarëve të tij informale dhe vuri në lëvizje, me dokumente të dala nga zyra e tij, një hetim kundër Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike. Pra, paratë e paguara drejtpërdrejt nga Tirana ndezën makinerinë e FBI, me qëllimin e thjeshtë të zhdukjes së konkurentëve lokalë të Edi Ramës. Kaq mjafton për të vënë në pikpyetje tabunë se “Amerika” nuk korruptohet.

Natyrisht, si kudo, edhe përtej oqeanit ka individë dhe zyrtarë që i kanë qef paratë e pista të regjimeve diktatoriale, prandaj dhe klisheja që përmendin shpesh gardistët mediatikë të kryeministrit, se: “nuk është aq i fortë Edi Rama sa për të blerë Amerikanët”, këtej e tutje duhet parë me dyshim.

2-“I besoj çdo amerikani”

Pikërisht kjo ngjarje, me anën e saj të errët, me dollarët e paguara cash në një parking, me artikujt që u botuan në “Mother Jones” dhe që shërbyen për të ndërtuar fabulën e opozitës së rublave, na dëshmon se jo çdo zyrtar amerikan, që merret me këtë vend, ka monopolin e të drejtës absolute. Ajo na tregon se askush nga ne nuk ka pse i beson më shumë McGonigalit, Palmerit, Escobarit, Donald Lu-së apo Yuri Kimit sesa logjikës, kredos apo fakteve që disponon vetë. Idiotësia se “unë mendoj ndryshe, po nuk do veproj sipas bindjes që kam, pasi Amerika na porosit për të kundërtën”, rrezulton sot më qesharakë se kurrë. Ata që pretendojë se vettingu është një pocaqi, por ua kërkon SHBA-ja zgjatjen e komisioneve të tij; ata që e kanë provuar vetë anshmërinë e SPAK-ut, por vazhdojnë të kenë shpresë se kështu u thotë ambasadorja; ata që përbetoheshin për pastërtinë e Berishës, por sot e kanë braktisur, se nuk i dalin dot kundër superfuqisë; tani riskojnë të duken si idiotë të dobishëm të lojës me maska të regjimit të Tiranës.

3- “Mos shaj në gjuhë të huaj”

Ky skandal, ndoshta më i madhi mes një qeverie shqiptare dhe aleatit tonë strategjik, nxjerr në pah edhe hipokrizinë e Edi Ramës. Për një kohë të gjatë kryeministri ka predikuar se ai nuk e shan kurrë opozitën e vendit të tij në gjuhë të huaj. Duke përdhosur këtë koncept konician, pra se me kundërshtarët e tij i lan teshat e papastra vetëm brenda shtëpisë, pa i nxjerrë ato në pazar, ai anatemonte kritikët dhe rivalët e tij që ishin koherentë në artikulimin e akuzave të tyre ndaj qeverisë, si brenda ashtu dhe jashtë vendit.

Afera e zyrtarit të arrestuar të FBI-së, korruptimi i tij për të pompuar fabulën e një opozite që financohet nga Moska, e vendos Ramën në pozicionin e një mashtruesi ordiner, që vepron në të kundërt të asaj që predikon. Akoma dhe më keq. Në këtë pikë ai nuk del thjesht gënjeshtar. Ai rezulton si një politikan i paskrupullt, që për hir të interesave të pushtetit të vet, mund të nxijë imazhin e krejt vendit, duke vizatuar një Shqipëri, ku diçka më pak se gjysma e elektoratit votojnë një parti anti perendimore.

4- “FBI si SPAK”

Shpërthimi i aferës të dy pazarxhijve shqiptarë që blenë për llogari të pushtetit zyrtarin më të lartë të FBI-së të arrestuar ndonjëherë, ka mbështjellë me hije dyshimi edhe margaritarin e kurorës së reformës në drejtësi. SPAK, u tregua i mefshtë dhe i ngathët për të nisur menjëherë hetimet. Madje edhe kur deputetë të opozitës u detyruan të bëjnë punën e tij, shefi yurikimist i Prokurorisë së Posaçme filloi të kërkojë qiqra në hell për gjetjen e aktakuzës amerikane, ndërkohë që ai duhet t’i ishte drejtuar ndërkohë me letërporosi Departamentit të Drejtësisë, për tërheqjen e materialit që ka lidhje me Shqipërinë. Fakti që kjo nuk ndodhi, është treguesi më i qartë se ky institucion është gjunjëzuar nga regjimi i Tiranës. Edhe më keq akoma, fakti që ambasada e SHBA, që bën sikur e kontrollon SPAK-un, nuk pipëtiu, as publikisht, as në rrugë zyrtare, për ta çuar para zbardhjen e këtij skandali, i mbulon edhe më me turp “heronjtë e fëmijve tanë”, që gjoja do luftonin krimin dhe korrupsionin në nivele të larta. Ironia është se kur nisi reforma në drejtësi na u premtua që do ta bënim SPAK-un dhe BKH-në si FBI-a, por regjimi i Tiranës rrezikoi të bënte këtë të dytën si të parat.

5- “Zvjerdhja e non-gratave”

Pikërisht ky lloj korrupsioni, kur me para të pista të dërguara me çanta blehet nga kryeministri i një vendi një agjent i lartë kundërzbulimi, ka përdhosur keqas edhe nocionin e “minimit të demokracisë”, që shërbeu si pretekst për shpalljen e “non grata-s” më të famshme në Shqipëri.

A ka minim më të madh demokratik sesa të rekrutosh një zyrtar të FBI-së, për ta përdorur atë si levë për shkatërrimin e opozitës së vendit tënd?

Në këtë fabul janë përmbledhur të tëra. Edhe paratë me origjinë të paditur të koncesioneve dhe PPP-ve, dhe bota e errët e “këshilltarëve informalë” që përdor kjo qeveri dhe guximi i çartur për të futur në kurth një funksionar të lartë të një vendi aleat edhe mbi të gjitha ideja fikse për asgjesimin e pluralizmit real politik. Minim më të madh demokratik sesa ka tentuar Edi Rama, në këtë vend nuk është parë kurrë. Para këtyre fakteve “non grata-t” për mëkatet e Tom Doshit, Vangjush Dakos, apo ato për krimet e Sali Berishës ngjajnë si anekdoda fëmijësh. Dhe po u pranua ky standart, politika me listat e zeza të SHBA-së do të humbasë këtej e tutje edhe atë pak kredibilitet publik që i kishte mbetur deri më sot.


smile

Forum Andi Bushati McGonigal