
''Peshqit'' e Berishës ngecin në 'rrjetën' e Vettingut. KPK 'i pret kokën' gjyqtarit Admir Thanza
Pas gjyqtarit Tom Ndreca, KPK ka shkarkuar nga detyra edhe gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza. Gjatë marrjes së vendimit ai nuk ishte i pranishëm në seancë. Nga hetimet rezultoi se ai kishte kontakte me persona të inkriminuar. Thanza fshehu dënimin në Itali në vitin 1999, ku është dënuar me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë për vjedhej në bashkëpunim.
Po ashtu ai u betua se nuk e ka kryer veprën penale për të cilën ka marrë dënim. Mosdeklarimi i saj në formularët e dekriminalizimit përbën vepër penale sipas ligjit në fuqi.
Në deklaratën e tij të pasurisë ai ka deklaruar se një apartament në Shkodër e ka blerë me burime financiare nga shitja e dy apartamenteve të tjera. Mirëpo, datat janë shumë konfuze. Gjyqtari Thanza ka deklaruar se apartamentin e tretë e ka blerë në prill të vitit 2000, ndërsa dy apartamentet e para i ka shitur në shtator të vitit 2000.
DËNIMI
Dënimi në Itali është zbuluar nga përfaqësuesit e ONM-së, pasi gjyqtari Thanza nuk e kishte deklaruar në formularët e dekriminalizimit. Ai kështu bëhet gjyqtari i parë që fsheh një dënim.
“Z. Thanza ka mohuar të jetë ndaluar, hetuar apo të jetë marrë ndonjë masë shtrënguese ndaj tij. Këto përgjigje ai i ka dhënë edhe në formularin e vëtëdeklarimit, ku mohohet të ketë qenë ndonjëherë i arrestuar, ndaluar, i dënuar me vendimi të formës së prerë qoftë brenda vendit dhe qoftë jashtë vendit. Nga dokumentet e siguruara nga KPK-ja me ndihmën e ONM-së, rezulton se, zoti Thanza, lindur në Shkodër, ka qenë i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Pizës në Itali, me vendim të shpallur më 21 qershor të vitit 1999. Ai është dënuar me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta italiane gjobë për veprën penale vjedhje në bashkëpunim”, tha relatori Lulëzim Hamitaj në seancën dëgjimore në KPK dy ditë më parë.
Vetë Thanza dha shpjegime në fund të seancës, duke thënë se ka marrë përsipër veprimin e paligjshëm të ish-kunatës së tij për të shpëtuar jetën e nipit, që kurohej në Spitalin e Pizës nga një sëmundje e rëndë.
“Kam tentuar me sinqeritet maksimal që të shpjegoj edhe në e-maile edhe në materialet që kam paraqitur ekzistencën e dënimit. Kurrë në jetën time unë nuk mund ta bëja një gjë të tillë. Mora përsipër diçka për të mbrojtur një fëmijë të mitur. Ai është gjaku im, djali i vëllait tim. Fillimisht kurrë nuk e dija, sepse ajo ishte një marrëveshje mes avokatit dhe prokurorit dhe që më është thënë që nuk cilësohet si dënim”, tha Thanza i përlotur.
“Kështu, nëse kujdestarja, ish-kunata ime, do të arrestohej për vjedhjen, atëherë për fëmijën nuk kishte kush kujdesej dhe ai mund të kthehej në Tiranë pa u kuruar”, shtoi ai.