
“Nuk është arritur ndonjë marrëveshje për targat”. Kështu ka deklaruar Petar Petkoviç, drejtor i së ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, në qeverinë e Serbisë.
Televizioni shtetëror i Serbisë kishte raportuar se marrëveshja është arritur. Por Beogradi e mohon këtë, megjithëse bisedimet për këtë çështje po vazhdojnë.
“Do të doja të mohoja fuqishëm publikimin e një lajmi absolutisht të rremë që është shfaqur jo vetëm në portalin e shërbimit publik serb, por edhe në emisionin e tyre kryesor të lajmeve, në edicionin e mëngjesit, ku thuhej se mbrëmë vonë kam rënë dakord me Bislimin për të zgjatur vlefshmërinë e targave ekzistuese KM për 10 muaj, dhe pastaj të kalohet në targa RKS, si dhe Asociacioni do të diskutohet në kuadër të propozimit franko-gjerman”, ka thënë Petkoviç.
Edhe zëvenëskyreministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të enjten ka thënë se nuk ka marrëveshje. Ai gjithashtu ka thënë se Kosova ka dorëzuar shkresë në Bashkimin Evropian si propozime për çështjen e targave.
Më 21 nëntor vendimi i shkallëzuar i Qeverisë së Kosovës hynë në fazën e dytë – atë të gjobitjes. Lista Serbe ka paralajmëruar se gjoba e parë do të pasojë në rezistencë.